Sot sistemit shëndetësor i mungojnë 26 mjekë. Nuk zgjodhën ata të ikin, ishte sëmundja që i mori. Jo më larg se dje, COVID-19 i ka kushtuar jetën edhe mjekes gjinekologe Anila Vogli.
Lajmin për ndarjen nga jeta të doktoreshës e dhanë kolegët, mjekët e spitalit “Koço Gliozheni” në kryeqytet.
MJEKËT
Në më pak se 10 muaj janë 26 profesionistë shëndetësie që “i janë shkëputur trungut” të mantelbardhave.
Pavarësisht përpjekjeve, ata nuk ia kanë dalë të fitojnë këtë betejë. Vetëm pak ditë më parë u shua edhe mjeku neurolog i QSUTsë, Drini Dobi. Doktori ndërroi jetë në një spital në Itali ku ishte dërguar për mjekim të specializuar, por gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar së tepërmi duke e bërë të pamundur shërimin e tij. Për kolegët, doktori që kishte fituar shumë beteja e kishte tejkaluar shumë sprova, ishte dorëzuar ashtu i paqtë siç ishte, duke lënë në trishtim të thellë të gjithë ata që patën fatin ta njohin.
E papritur ishte edhe vdekja e mjekut ORL të QSUT-së, Bledi Nini. Doktori po ashtu ndërroi jetë në një spital në Itali ku ishte dërguar nga familjarët për kurim.
Jo pak tronditje shkaktoi edhe ndarja para kohe e mjekes gjinekologe e pedagoges Suela Muça. Në moshën 48-vjeçare, doktoresha nuk ia doli që të mposhte sëmundjen.
Arjan Pushi, Ilirjan Draçini, Leonard Kamberi, Ibrahim Kaziu janë disa prej mjekëve që po ashtu humbën jetën si pasojë e COVID-19.
Ka qenë mjekja Manjola Dokle ajo e cila ka rikujtuar dje përmes një statusi mjekët të cilët nuk jetojnë më për shkak të koronavirusit.
“Mjekët që kanë ndërruar jetë për shkak të COVID-19”, ka shkruar doktoresha në rrjetet sociale dhe bashkangjitur emrat e tyre.
Çdo humbje në radhët e profesionistëve të shëndetësisë është një humbje jo vetëm për familjarët, për sistemin, por për të gjithë ne.
Prej muajsh mjekët, infermierët janë vënë përballë kësaj sëmundjeje që ka treguar se nuk kursen askënd. Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve ka dhënë dje lajmin se mjeku anestezist Mihal Kerci prej disa ditësh është nën asistencë respiratore maksimale, në gjendje kritike për jetën.
SITUATA
Javët e fundit kanë sjellë përkeqësim të situatës. Edhe të premten është regjistruar një numër i lartë rastesh të reja.
“Janë kryer 2604 testime, duke përfshirë këtu edhe testet e shpejta që kanë nisur të përdoren në 24 orët e fundit dhe kanë rezultuar pozitivë 802 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 310 raste në Tiranë, 57 në Berat, 46 në Elbasan, 43 në Korçë, 38 në Vlorë, 35 në Shkodër, 30 në Lushnjë, 24 në Mat, 22 në Gjirokastër, 21 në Fier, nga 18 raste në Durrës, Përmet, nga 13 raste në Krujë, Lezhë, Kuçovë, 12 në Skrapar, 11 në Pogradec, 10 në Pukë, nga 9 raste në Dibër, Peqin, nga 8 raste në Gramsh, Sarandë, 7 në Tropojë, 5 në Kavajë, nga 4 raste në Kurbin, Tepelenë, nga 3 raste në Kukës, Mirditë, Librazhd, Delvinë, nga 1 rast në Has, Kolonjë”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë vijon të rëndohet bilanci i viktimave, në 24 orët e kaluara kanë ndërruar jetë 12 persona. “Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 12 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: 5 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Dibra, 1 qytetar nga Korça, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Durrësi, të moshave 51-83 vjeç”.
Sa i takon situatës në spital, edhe pse ka pasur shtim të pacientëve, mbetet e qëndrueshme. Ajo që vihet re është një rritje e numrit të pacientëve në terapi intensive dhe intubim.
“Numri i të shtruarve në spitale është i qëndrueshëm. Aktualisht në 4 spitalet COVID po trajtohen 451 pacientë, 37 në terapi intensive, 12 pacientë janë të intubuar”, ka bërë të ditur Ministria.
Emrat e mjekëve që humbën jetën si pasojë e COVID-19
1. Anibal Byberi (53 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Bajram Curri.
2. Astrit Haziri (54 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Kukës.
3. Arian Pushi (58 vjeç) – mjek hematolog, Tiranë.
4. Agron Menzelxhiu (71 vjeç) – kirurg, Elbasan.
5. Memo Boçi (81 vjeç) – epidemiolog, Tiranë.
6. Hysni Shkjau (69 vjeç) – mjek familje, Pukë.
7. Vilson Topulli (73 vjeç) – epidemiolog, Tiranë.
8. Zyliha Kraja (78 vjeçe) – kirurge, Shkodër.
9. Esat Pashaj (71 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Skrapar.
10. Muharrem Xhepexhiu (64 vjeç) – mjek familjeje, Lushnjë.
11. Sefer Dervishi (61 vjeç) – mjek familjeje, Kavajë.
12. Ilirjan Draçi (66 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Tiranë.
13. Hidajet Deda (67 vjeç) – pediatër, Kavajë.
14. Eduart Dhamo (57 vjeç) – mjek i përgjithshëm,Lushnjë.
15. Shaqir Shehu (68 vjeç) – kirurg, Kukës.
16. Ibrahim Kaziu (68 vjeç) – pneumolog, Dibër.
17. Ferdinand Shkrepa (68 vjeç) – okulist, Elbasan.
18. Bledi Nini (48 vjeç) – otorinolaringolog, Tiranë.
19. Myftar Zemani (78 vjeç) – mjek familjeje, Fier.
20. Leonard Kamberi (47 vjeç) – gjinekolog, Vlorë.
21. Suela Muça (48 vjeçe) – gjinekologe, Tiranë
22. Drini Dobi (51 vjeç) – neurolog, Tiranë
23. Raimonda Lengu – mjeke familje, Tirane
24. Flutura Hashorva – mjeke pneumologe
25. Elmaz Eltari- mjek infeksionist, Tiranë
26. Anila Vogli – mjeke gjinekologe, Tiranë