MENU
klinika

“Na e shtojnë dhimbjen”

Familja Rasha letër publike protestuesve: Trazirat në emër të Klodianit nuk na ngushëllojnë

12.12.2020 - 21:17

Katër ditë pas humbjes së djalit, familja e Klodian Rashës ka bërë thirrje për qetësi me anë të një letre publike duke kërkuar që dhimbja e tyre të mos thellohet më tej me padrejtësi të tjera.

Top Channel ka siguruar këtë letër, për të cilën një nga anëtarët e familjes Rasha i konfirmoi se ajo është letër publike për të gjithë shqiptarët.

Në letër, anëtarët e familjes Rasha shkruan se “pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij”.

Kështu nis letra publike e familjes së 25-vjeçarit, vrasja e të cilit ka ngritur në këmbë mijëra vetë në protesta që janë përshkallëzuar prej tri ditësh në dhunë.

“Ato që po shohim pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë. Po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme”, thotë letra.

“Djalit tonë”, shkruhet më tej në letër, “ia mori jetën arma e një polici”.

Ndaj familja kërkon drejtësi deri në fund.

“Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici nuk sjellin drejtësi, por vetëm padrejtësi të tjera”, vijon letra.

Familja ka një lutje ndaj të gjithë djemve, që siç shkruhet në letër, të rrëmbyer nga inatet e politikës, të mos manipulohen nga politika.

Sipas familjes Rasha, politika që kërkon rrëmujë dhe shkatërrim nuk sjell drejtësi, po rrezikon jetë të tjera djemsh të pafajshëm dhe po shqetëson mbarë popullin shqiptar.

Ata thonë se vdekja e djalit të tyre duhet të vlejë për të mos i ndodhur kurrë askujt e njëjta tragjedi.

“Por e drejta duhet të shkojë në vend, në gjykatë dhe ne presim nga shteti të garantojë drejtësinë, jo nga dhuna politike.

Politikanët t’i thërrasin mendjes se boll e kanë lodhur këtë popull me lojërat e tyre dhe të mos i hedhin benzinë zjarrit për interesin e tyre.

Duam t’i falenderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhimbjen tonë të madhe dhe ua shpërblefshim veç në gëzime. Të shkuara policit të plagosur dhe veç të mira pastë bashkë me prindërit dhe familjen e tij.

Ju lutem mos na e shtoni dhimbjen që kemi”, kështu përfundon letra e familjes Rasha.

Më 8 dhjetor, djali i kësaj familje, Klodian Rasha humbi jetën i qëlluar me armë zjarri në orën 01.45 të mëngjesit, nga një polici i patrullave Shqiponja. Polici u arrestua dhe më 11 dhjetor iu dha masa e arrestit me burg, pas kërkesës së prokurorisë, e cila e gjen atë fajtor për vrasjen tragjike. Pas kësaj ngjarje, në gjithë vendin, por më së shumti në Tiranë po organizohen protesta, të cilat kanë degjeneruar edhe në dhunë.

Më 9 dhjetor, protestuesit sulmuan Kryeministrinë dhe Ministrinë e Brendshme. Gjatë sulmit dhe goditjeve me gurë e sende të forta u lëndua rëndë një polic, i cili është në rrezik për të humbur syrin. Policia me forcat e ndërhyrjes së shpejtë ka ndërhyrë duke përdorur gazin lotsjellës dhe topat e ujit për të larguar protestuesit, kryesisht të rinj.

Ata në të gjitha protestat janë shpërndarë në rrugët e kryeqytetit duke dëmtuar kryesisht sinjalistikën rrugore. Nga përplasja me policinë në ditën e parë dhe të dytë të protestës janë lënduar 15 policisë dhe 5 protestues, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore në spital.

Sulmi i përgjakshëm në tregun e Krishtlindjeve

Autoritetet gjermane përballen me kritika

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!