MENU
klinika

Rama pritet të njoftojë sot emrin e ri

Kush do të jetë Ministri i ri i Brendshëm, pas Lleshaj?

14.12.2020 - 10:04

Kryeministri Rama pritet që sot të njoftojë emrin e ministrit të ri të Brendshëm, i cili do të zërë vendin e lënë bosh pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt. Burime për mediat, pranë Ramës, bëjnë me dije se pasuesi i Lleshajt mund të dalë po nga kabineti i ministrave.

Pra, pasuesi i Sandër Lleshaj mund të jetë një ministër apo zv.ministër aktual. Nga radhët e emrave më të përfolur brenda kabinetit të qeverisë Rama 2, janë ministrja Elisa Spiropali dhe Olta Xhaçka.

Nuk përjashtohet mundësia që zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari të emërohet në postin që më parë mbante eprori i tij Sandër Lleshaj, deri në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Gjithashtu, një tjetër emër favorit për këtë post është dhe Ulsi Manja, ndër njerëzit më të afërt të Ramës. Ish-ministrja Mimi Kodheli përflitet gjithashtu për të zënë vendin e lënë bosh nga Lleshaj dhe të marrë në dorë situatën në të cilën ndodhet vendi, pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha më 8 dhjetor në Laprakë, nga një efektiv i Shqiponjave.

Emri i Taulant Ballës është përfolur gjithahstu si një ndër emrat që Rama mund të lajmërojë sot. Por dy ditë më parë, vetë Sekretari i Përgjithshëm i PS Taulant Balla, është shprehur nga Elbasani për këtë çështje se preferon më shumë postin aktual sesa atë të ministrit.

Mbetet të shihet sot se cili do të jetë socialisti që Rama do të bëjë ministër të Brendshëm.