Kosova sot edhe zyrtarisht është pavarësuar nga Serbia si Zonë Rregulluese e transmisionit, duke nisur operimin brenda bllokut rregullues AK-Kosovë-Shqipëri, duke nisur kështu transmetimin e linjës 400 kv mes dy vendeve.
Projekti u konsiderua si më i madhi në historinë e dy shteteve tona, pasi është një vepër strategjike me impakt në rritjen e sigurisë dhe kapaciteteve elektro-energjetike të dy shteteve tona.
Gjatë një ceremonie të zhvilluar në Shqipëri, ku në mënyrë virtuale morën pjesë edhe përfaqësuesit nga Kosova, u tha se tregjet e përbashkëta do të ndihmojë të dy palët që të jenë konkurrent në rajon.
Me fillimin e implementimit të marrëveshjes së re për kyçje KOSTT/ENTSO-E që kanë mundësuar që sot KOSTT përfundimisht të fillojë të operojë me të gjitha të drejtat e barabarta me homologët e tjerë ndërkombëtar, sipas standardeve evropiane për operim.
Me fillimin e operimit të KOSTT si Zonë rregulluese në kuadër të Bllokut rregullues AK, KOSTT do të menaxhoi kapacitetet interkonektive të Kosovës me Operatorët e Sistemeve Transmetuese fqinje. Me këtë, gjithashtu bëhet funksionalizimi i linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri i cili do të ndikojë në rritjen e shkëmbimeve të energjisë elektrike ndërmjet dy sistemeve, rritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë dhe regjionit.
Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Skerdi Drenova gjatë fjalës së tij u shpreh se me realizimin e këtij projekti po hyjmë në vitet më të rëndësishme të shekullit të fundit sa i përket projekteve energjetike.
“Dita e sotme do të njihet si dita e vënies në operim të linjës 400 kilovatëve, e cila rezulton të ketë një impakt pozitiv jo vetëm në rritjen e sigurisë së operimit të sistemit elektor energjetik shqiptar por do të garantojë bashkimin e plotë të të dy tregjeve energjetike”, tha ai.
Ish-drejtori i KOSTT-it, Ilir Shala, ka njoftuar se Kosova është pavarësuar nga Serbia si Zonë Rregulluese e transmisionit.
“Data 14 dhjetor është një datë historike për mbarë kombin shqiptar, është një datë historike për Kosovën dhe Shqipërinë. Blloku i përbashkët Kosovë-Shqipëri, është një arritje e madhe dhe një histori në vete“, tha ai.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se më në fund sot po hedhin pas shumë përpjekjesh, një hap tejet i rëndësishëm për sektorin elektro-energjetik Shqipëri-Kosovë. Kryeministri theksoi se arritën këtë ditë, e cila faktikisht nëse kthehemi pas edhe shohim historikun e këtij procesi ka marrë shumë kohë.
Kreu i ekzekutivit tha se “arsyeja ishte vetoja e Serbisë dhe faktikisht linja mbeti peng i një formaliteti në kushtet e mungesës të një vullneti politik”.
“Kosova për 4 vjet nuk mund të merrte një kod transmetimi nga Rrjeti Europian i Autoritetit të Transmetimit sepse pala serbe e pranonte ta njihte pavarësinë e rrjetit me kusht që të mbetej përsëri i varur nga Serbia. Ky është Shengeni Rajonal. Kështu zgjidhen problemet që kanë një rëndësi shumë të madhe dhe mbeten peng i fjalëve të mëdha, sherreve të mëdha dhe i grandomanis që rëndom i ka penguar shqiptarët të shohin përtej hundës së tyre”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se arritën që duke hapur rrugën e një ndërveprimi në rajon dhe njehsuar qasjen edhe me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së dhe për sa i përket të ardhmes së rajonit duke hequr atë veto dhe duke marrë mbrapsht të drejtën për hapjen dhe vënien në funksion të këtij projekti që është një prej projekteve më të mëdha në historinë e dy shteteve tona.
“Kjo është kohë kur ne vijmë si shprehje e vullnetit sovran të dy qeverive sovrane, në dy shtete sovrane dhe kjo është një mundësi e jashtëzakonshme si një shembull i qartë për të gjithë xhakajdurët tanë këtej e andej kufirit që vënë kujen patriotike për të penguar projekte ekonomike, të kuptojnë se çfarë do të thotë qasja jonë ndaj të ardhmes dhe çka do të thotë Shengeni Rajonal në thelb. Nuk është dorëzim i asnjë pavarësie dhe asnjë sovraniteti, por është fuqizim i sovranitetit. Ky projekt, ekzaktësisht historik, është shembëlltyrë e vënies në shfrytëzim të kapaciteteve të sovranitetit dhe pavarësisë së të dyja shteteve për të ndërvepruar me njëri-tjetrin në kushtet kur arrijmë të bëjmë politikë largpampëse”, tha Rama.
Ai theksoi po ashtu se “linja e tensionit të lartë mes OST-së dhe KOSTT, faktikisht sjell aplikimin e një koncepti të ri të operimit të sistemit elektroenergjetik shqiptar bashkë me bursën e energjisë”.
Ndërkohë, me rastin e fillimit të operimit të KOSTT si zonë rregulluese në kuadër të Bllokut rregullues Shqipëri-Kosovë, në ambientet e ndërtesës qendrore të KOSTT, menaxhmenti në krye me kryeshefin ekzekutiv, Mustafë Hasani, si dhe bordi i KOSTT në krye me kryesuesin Jeton Mehmeti pritën në takim kryeministrin e Kosovës, Abdullah Hoti dhe ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, me bashkëpunëtorë.
Me këtë rast, delegacioni i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës u njoftuan për së afërmi me përgatitjet profesionale që janë realizuar nga ana e KOSTT për fillimin e implementimit të marrëveshjes së re për Kyçje KOSTT/ENTSO-E që kanë mundësuar që sot KOSTT përfundimisht të fillojë të operojë me të gjitha të drejtat e barabarta me homologët e tjerë ndërkombëtar, sipas standardeve evropiane për operim.
Me fillimin e operimit të KOSTT si Zonë rregulluese në kuadër të Bllokut rregullues AK, KOSTT do të menaxhoi kapacitetet interkonektive të Kosovës me Operatorët e Sistemeve Transmetuese fqinje.
Me këtë, gjithashtu bëhet funksionalizimi i linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri i cili do të ndikojë në rritjen e shkëmbimeve të energjisë elektrike ndërmjet dy sistemeve, rritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë dhe regjionit.
Kjo do t’i hap rrugën zhvillimit të mëtejmë të tregut të përbashkët përmes bursës së energjisë ALPEx e cila është themeluar së voni.
Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti përgëzoi KOSTT-in për këtë të arritur dhe theksoi se mbështetja e Qeverisë për sektorin e energjisë do të jetë maksimal, ngaqë stabiliteti energjetik është parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit, rritje të investimeve të brendshme dhe të atyre të jashtme, si dhe në funksion të mirëqenies së qytetarëve.”
Me këtë rast KOSTT merr përgjegjësi të shtuar për të kontribuar në rritjen e sigurisë së operimit sistemit regjional të energjisë elektrike, si detyrë primare e Operatorëve të Sistemit të Transmisionit.
Delegacioni qeveritar gjithashtu vizituan edhe Qendrën Nacionale Dispeçerike në KOSTT prej nga u njoftuan rreth operimit në kohë reale të Sistemit të Transmetimit së Republikës së Kosovës.
KOSTT falënderon të gjitha institucionet shtetërore dhe institucionet ndërkombëtare si SHBA dhe BE për mbështetjen e vazhdueshme në jetësimin e Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe në veçanti vlerësohet partneriteti me ShBA dhe RF të Gjermanisë në këtë proces.
Gjithashtu, falënderim i veçantë për ekipet profesionale të KOSTT për përmbushjen e obligimeve teknike ndaj kërkesave të ENTSO-E./KosovaPres/