Dita e sotme është dita e gjashtë e protestës për vrasjen e Klodian Rashës. Si fillim, protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” dhe tashmë po marshojnë drejt institucionit të Kryeministrisë.
Situata vijon të jetë e qetë deri tani, mirëpo forca të shumta policie janë të pozicionuar kudo në kryeqytet të cilët janë në gatishmëri.
Protesta është paralajmëruar se do të jetë e qetë dhe gjithashtu policia ka bërë me dije se nuk do të tolerojë asnjë grumbullim të qytetarëve.
Kjo protestë filloi për vrasjen e të riut nga një efektiv gjatë orës policore, por më pas ajo precipitoi në dhunë, shkatërrim dhe djegie të sinjalistikës rrugore e koshave të mbeturinave në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa nga policia është hedhur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve gjatë këtyre ditëve.
Ajo që bie në sy në grumbullimet e sotme, është se turma përbëhet nga persona në moshë të rritur dhe aktivistë të shoqërisë civile. Akoma nuk dihet se cili skenar do të ndiqet nga qytetarët e mbledhur, por kjo gjë do të vihet re në vijim të protestës.
Sakaq, uniformat blu janë pozicionuar në krahët e Kryeministrisë por deri tani nuk ka asnjë ndërhyrje.