Policia e Shtetit, 1.5 vite pas grabitjes së miliona eurove në Rinas, nuk ka arritur të gjejë ende dhe të arrestojë ndër të dyshuarit kryesor, Talo Çelën. Ky i fundit, edhe pse në kërkim, ka dalë në mediat shqiptare dhe ka dhënë intervista ekskluzive.
Paraditen e sotme, Policia ka shpërndarë sërish njoftimin dhe foton e Talo Çelës dhe kërkon ndihmë nga qytetarët për identifikimin e vendndodhjes së të shumëkërkuarit.
“Policia e Shtetit, duke vlerësuar si mjaft të rëndësishëm dhe rezultativ bashkëpunimin me qytetarët, kërkon sërish bashkëpunimin dhe kontributin e tyre për të lokalizuar vendndodhjen e një personi shumë të kërkuar, shtetasit Talo Çela, 49 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. Për këdo që do të japë informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizimin dhe kapjen e këtij personi, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion shumën 10 mijë euro”, njofton Policia.
Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Ky shtetas është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 09.04.2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.
Gjithashtu ky shtetas është i dyshuar si autor i ngjarjes së datës 27.04.2020, në lagjen 14/1 Durrës, në vendin e quajtur “Tregu i makinave”, Shënvlash, Durrës, ku u vranë me armë zjarri 2 vëllezërit Haxhia.