Nuk ka gjë më të bukur sesa t’u dhuroh lumturi, shumë njerëzve – janë fjalët e Ludwig van Beethoven-it, të shprehura edhe nga muzika e tij.
Për të, muzika ishte toka në të cilën shpirti jeton, mendon dhe shpik.
”Muzika dhe pasioni i tij simbolizojnë idealet e Europës, të solidaritetit, paqes dhe lirisë dhe projekti ynë, për një botë më të mirë”, – kështu u shpreh presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, duke folur gjatë seancës plenare.
“Me rastin e 250-vjetorit të lindjes së Bethovenit, dëshiroj të ndaj me ju, një moment frymëzimi”, – veçoi ai.
Himni i gëzimit i Simfonisë IX nga Bethoven, u miratua si himni zyrtar i Bashkimit Europian. Ai dëgjohet në Parlament në hapjen e secilës prej seancave, si edhe në raste solemne.
Ai do të interpretohet sot nga ansambli ”Oxalys” nga Brukseli, me aranzhim nga kompozitori Jago Moons.
Është himni i Europës për të gjithë: Të bashkuar në diversitet.
***
Ludwig van Beethoven, kompozitori dhe pianisti gjerman, është një figurë përcaktuese në historinë e muzikës klasike, vepra e të cilit, shënon kalimin midis epokave klasike dhe romantike.
Problemet e mëvonshme me dëgjimin i bën edhe më të habitshme arritjet e tij muzikore. Lindur më 1770 në Bon, Gjermani, Bethoveni u transferua në Vjenë, si një muzikant i ri dhe u bë një nga kompozitorët më të famshëm e të respektuar të të gjitha kohërave. Data e lindjes së gjeniut nuk është e sigurt, por u pagëzua më 17 dhjetor të 1770, ndërsa mendohet të ketë lindur një ditë më parë.
I rrënjosur në traditat klasike nga Mozart dhe Haydn, arti i tij përqafoi një frymë të re humanizmi dhe nacionalizmi në atë kohë, siç shprehet në veprat letrare të Gëtes dhe Shilerit, imperativat morale të Kantit dhe idealet e Revolucionit Francez, me një shqetësim pasionant për lirinë dhe dinjitetin e individit.
Kompozimet më të famshme të tij përfshijnë 9 simfoni, 5 koncerte në piano, 32 sonata dhe 16 kuartete harqesh.
“Sonata e hënës” në piano dhe hapja dramatike e Simfonisë së Pestë, janë ndër veprat më të famshme të muzikës klasike, të shkruara ndonjëherë. “Ode to Goy” e tij, pjesë e Simfonisë së Nëntë, u adoptua nga Bashkimi Evropian si himni i Evropës.
Jeta e tij personale u shënua nga një luftë heroike kundër humbjes së dëgjimit, ndërsa i kompozoi disa nga veprat e tij më të rëndësishme, gjatë dhjetë vitet e fundit të jetës, kur humbi plotësisht dëgjimin.