Tashmë që prej 12 vitesh, korçarët e kanë bërë traditë të identifikojnë veten me organizimin e spektaklit më të madh veror në qytetin e kalldrëmeve, Festës së Birrës, sikurse kjo e fundit që u organizua fundjavën që lamë pas.
Edhe këtë vit Korca ka tërhequr qindra turistë , shqiptarë dhe të huaj që i janë bashkuar festimeve dhe spektaklit të muzikës.
Dy netët e para të festës mikëpritë artistë të ndryshëm të cilët me performancën e tyre në sheshin e shëndrruar në skenë të këtij festivali, dhuruan emocione të gjithë të pranishmëve në këtë festë.
Në këtë eveniment të organziuar nga Bashkia e Korçës në bashkëpunim me partnerët privatë, përveç promovimit të vlerave autentike vendase, qytetarët vlerësuan edhe përfitimet financiare që burojnë prej këtij festivali që ndjeshëm rrit xhiron e tyre. edhe mbi rëndësine në planin ekonomik që buron nga ky organizim.
Tregtarë suveniresh, punimesh artizanale korçare si dhe bujtina me ushqime tradicionale të zonës tregojnë se ky vit ka qenë edhe më i mbarë krahasimisht me të tjerët.
“Sigurisht që jemi të kënaqur” – tregon Gjergji, pronar i një dyqani të vogël me suvenire – “kemi pasur shumë xhiro. Këtë vit erdhën shumë vizitorë dhe mund të them se fitimi ka qenë i kënaqshëm”.
Po ashtu pjesë e kësaj feste kanë qenë edhe argëtimet për fëmijë. Teksa këtë vit ndryshe nga herët e tjera u krijua mundësia që vizitorët e ardhur posaçërisht për festën e birrës të ngrinin çadrat e tyre të kampingut në afërsi të zonave ku u zhvillua spektakli duke pasur mundësinë të mos humbasin asnjë moment të tij.