MENU
klinika

Hapat për kodin e recetës

Si të merrni online recetën e rimbursueshme për Covid-19?

17.12.2020 - 15:35

Çdo person që është diagnostikuar nëpërmjet tamponit me Covid-19, dhe që do të vijojë trajtimin në banesë, mund të sigurojë online edhe recetën e barnave të rimbursimit, sipas dy paketave të parashikuara për këtë kategori. Receta elektronike për rimbursimin e ilaçeve ndaj Covid-19 merret tashmë në portalin e-Albania. Me plotësimin e hapave të përcaktuara, ju do të merrni kodin unik të recetës, me anë të të cilit më pas do të mund të merrni në farmaci barnat e rekomanduara nga mjeku i familjes. Autoritetet e shëndetit ritheksojnë se vetëm personat e testuar pozitiv me Sars Cov-2 do të përfitojnë pa pagesë trajtimin ambulator në banesë sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe Miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Hapat për të marrë kodin unik të recetës!

Hapi i parë që duhet të ndiqni është të hyni në portalin “e-albania” në adresën www.e-albania.al, ku duhet të identifikoheni si qytetar. Më pas duhet të përzgjidhni shërbimin “Aplikim për recetë të rimbursueshme Covid-19” dhe të klikoni në butonin “Përdor”. Pasi kryeni këto hapa do të shfaqet formulari elektronik, në të cilin duhet të plotësoni me shumë kujdes informacionin e nevojshëm që kërkohet dhe të vijoni me dërgimin e aplikimit.

Kërkesa dërgohet për shqyrtim tek mjeku respektiv i familjes dhe ai akseson aplikimin në sistemin e-Rx. Pas vlerësimit të kësaj kërkese ju do të njoftoheni me mesazh, si dhe me email dhe tek “Mesazhet e Mia” në rubrikën “Hapësira Ime” në portalin e-Albania me kodin e recetes së përshkruar apo përgjigjen e mjekut të familjes. Gjithashu bëhet e ditur se në në rastet kur ju dëshironi të përdorni një email tjetër, ju duhet ta ndryshoni atë në rubrikën “Hapësira Ime” duke klikuar: “Ndrysho të dhënat e llogarisë”.

Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit është 24 deri në 48 orë. Ndërsa për aplikimet e kryera gjatë ditëve të pushimit zyrtar, afati për shqyrtimin e aplikimin fillon me fillimin e orarit zyrtar të punës për ditën pasardhëse. Periudha e vlefshmërisë së këtij shërbimi është pa afat.

Rezervimi i testeve të shpejta!

Pas datës 20 dhjetor rezervimi i testeve të shpejta për çdo person që dyshon se ka simptoma të Covid-19 do të bëhet pranë mjekut të familjes. Teksa ishte e pranishme në qendrën e re shëndetësore në Pajovë të Peqinit, e cila sapo ka përfunduar rehabilitimin e plotë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se testimi i shpejtë do të vijojë në të gjithë vendin dhe prej datës 20 dhjetor qytetarët do ta kryejnë atë nëpërmjet rezervimit tek mjeku familjes.

“Testimi i shpejtë ka filluar në njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, por nga data 20 dhjetor në do ta shtrijmë këtë testim edhe në qendra shëndetësore të mirëpërcaktuara, që do të mbulojnë një zonë të përcaktuar në komunitet, për të patur më shumë akses në testimin e shpejtë, për të bërë të mundur një kapje të shpejtë të rasteve sipas indikacioneve të mjekëve të familjes, të cilët nëpërmjet sistemit elektronik do të përcaktojnë orën e saktë të bërjes së testi të shpejtë në qendra shëndetësore. Do fillojmë me Tiranën, ku do të ketë 6 pika të caktuara për testimin e shpejtë në qendra shëndetësore, do të zgjerohemi në 10 pika në Tiranë dhe më pas në të gjithë Shqipërinë”, ka bërë me dije ministrja Manastirliu.

Më tej ajo nënvizoi se për 2021 do të vijojë rimbursimi 100 për qind për trajtimin ambulator në banesë dhe me fondet e dedikuara të buxhetit të shtetit janë 12 milionë dollarë të dedikuara vetëm për paketën e rimbursimit. “Janë 1600 mjekë familje që janë duke ndjekur rastet Covid, duke i mbështetur me barna dhe terapi mjekimi, sipas paketës së rimbursimit të barnave falas që qeveria shqiptare ka miratuar. 12 milionë dollarë për vitin 2021 janë parashikuar nga qeveria shqiptare si paketë mbështetjejes për të gjithë skemën e barnave të trajtimit ambulator”, ka përfunduar ministrja Manastirliu.