MENU
klinika

Ministri i Ekonomisë: Duke bllokuar...

“Serbia po shkel Traktatin e Komunitetit të Energjisë”

17.12.2020 - 17:38

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Blerim Kuçi ka thënë të enjten se Serbia po shkel Traktatin e Komunitetit të Energjisë, duke bllokuar linjat transmetuese për Kosovën.

Ai i ka bërë këto komente në një takim të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, që këtë herë është mbajtur në kryesimin e Malit të Zi, pas pavarësimit energjetik të Kosovës.

“Përderisa po flasim për integrim regjional të tregut të energjisë, vendit tim i janë bllokuar nga Serbia, si palë nënshkruese e këtij Traktati, 60% të kapaciteteve transmetuese ndërkufitare. Kjo në parim zhvlerëson edhe vetë Traktatin”, ka deklaruar Kuçi.

Sipas tij këto veprime janë të patolerueshme dhe duhet të sanksionohen nga Bashkimi Evropian.

Nga dita e hënë (14 dhjetor), Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës.

Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Marrëveshja ka hyrë në fuqi më 29 shtator.

Siç ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Nebih Zariqi, anëtar i bordit të KOSTT-it, menjëherë pas fillimit të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova i ka importuar nga ky shtet.

Këta megavatë të bllokuar nga Serbia, pastaj, janë zëvendësuar me një marrëveshje të arritur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut për furnizim nga kapacitetet energjetike të këtij shteti.

Njohësit e fushës së energjisë në Kosovë kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ky pavarësim i sistemit energjetik të Kosovës ka elemente pozitive, por nuk përfshin zbatimin e marrëveshjes për pjesën e veriut të Kosovës dhe të sigurimit që ajo pjesë të integrohet në tregun energjetik të Kosovës.

Qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk i kanë paguar faturat e energjisë elektrike, edhe pse janë furnizuar nga Kosova, e sipas nevojës edhe nga Serbia.

Megjithatë, qytetarëve në veri iu shkojnë faturat për energjinë elektrike nga “Elektrokosmet” i Serbisë, kompani të cilën Kosova e konsideron ilegale.