Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, ka ngritur shqetësimin për humbjet e jetës si pasojë e COVID-19 në vendin tonë, ku sipas të dhënave, mbi 50% e personave që kanë ndërruar jetë janë nën moshën e pensionit ose rreth saj. Një përqindje kjo tejet e lartë në raport me vendet e tjera.
“Në Shqipëri, më pak se gjysma e personave që humbin jetën prej COVID-it (48% për saktësi) janë mbi moshën 70 vjeç.
Ndërkohë kjo shifër në Itali është 85%, në Suedi 90% dhe në Gjermani 92%!
E thënë ndryshe, mbi 50% e personave që humbin jetën në Shqipëri janë nën moshën e pensionit ose rreth saj, ndërkohë që në vendet e sipërpërmendur kjo përqindje luhatet nga 8% deri maksimumi 15%!
Për krahasim, sa është vdekshmëria nën 70 vjeç në Gjermani (8%), në Shqipëri është vdekshmëria nën 50 vjeç! A do të mbajë dikush përgjegjësi për faktin se kaq shumë të rinj vdesin nga COVID në Shqipëri?! Apo, si gjithmonë, do të vazhdojnë të mburren me numrat e manipuluar të vdekjeve dhe të presin vaksinën të bjerë nga qielli?!”, ka shkruar doktori në rrjetet sociale.