MENU
klinika

Dëshmia e rrallë e djalit të deputetit të vrarë

“Enveri s’ka gisht në eliminimin e babait, pasi Nexhmija…”

19.12.2020 - 09:46

Publikohet historia e panjohur e Ndue Marashit, ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, deputetit të Kuvendit Popullor dhe anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, i cili në datën 16 dhjetor të vitit 1975, u gjet i vdekur nga një plumb pistoletë në një nga dhomat e vilës së tij (tek “Shkolla e Kuqe”), rrethanat e së cilës nuk janë zbardhur ende edhe sot pas 45 vitesh?!

Dëshmia e rrallë e të birit të tij, 61 vjeçarit Xhovalin Marashi që banonon prej vitesh në Belgjikë, i cili dëshmon për herë të parë publikisht, të gjithë historinë e panjohur të babait të tij dhe familjes Marashi, duke filluar nga: origjina e tyre, ardhja në Tiranë, puna, shkollimi, diplomimi dhe karriera e Ndues fillimisht në Kamzë e më pas në koopertativën e Kasharit, Komitetin e Partisë së Rajonit Nr. 4 dhe më pas si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ku ai shërbeu nga viti 1973, deri në 16 dhjetorin e vitit 1975, kur Xhovalini me vëllanë më të vogël, Vlashin, e gjetën të atin e tyre të përgjakur në minutat e fundit të jetës dhe autobulanca që ata njoftuan me telefon, erdhi pas vetëm 45 minutash?!

Rrëfimi Xhovalinit edhe për miqësitë që kishte babai i tyre me një pjesë të udhëheqjes së lartë si: Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Fadil Paçramin dhe Myslym Pezën, apo të tjerë me poste e funksione më të ulta si: Irakli Bozo, Abedin Çiçi, Mark Dodani, Hazbi Lamçe, Demlush Thaçi, Fadil Lamin, Halim Stërmasi, Ilir Gjylbegu, Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Bert Jashari, Miti Dheodhosi etj.

Si u realizua skema e ekzekutimit të Ndue Marashit, kush ishin njerzit që e sulmonin nga Byroja Politike dhe Sigurimi i Shtetit që i angazhoi për eliminimin fizik të tij dhe përse i biri i tij, Xhovalini, e përjashton që ajo gjë është bërë me dijeninë e Enver Hoxhës, për të cilin shprehet se është një nga njerzit që e ka dashur shumë Nduen dhe ai së bashku me Nexhmijen dhe të birin e tyre, Ilirin, kanë bërë shumë për familjen Marashi, duke filluar nga…?!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pas publikimit të disa shkrimeve nga Memorie.al në dy numrat e kaluar, lidhur me historinë e ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe deputetit të Kuvendit Popullor, Ndue Marashi, i cili 45 vite më parë, në mesditën e 16 dhjetorit të vitit 1975, u gjet pa jetë në një nga dhomat e vilës së tij që ndodhet edhe sot pranë “Shkollës së Kuqe”, ku sipas versionit zyrtar, të dhënë me anë të komunikatës që u publikua të nesërmen në shtyp, ai kishte bërë vetëvrasje, Memorie.al i rikthehet përsëri kësaj historie.

Kjo ngjarje e rëndë e cila nuk kaloi pa zhurmë edhe në atë kohë që ndodhi, pasi po t’i referohemi versionit zyrtar, ishte hera e parë pas shumë vitesh që ndodhte një vetëvrasje nga një funksionar i lartë i shtetit,(kemi parasysh, në vitin 1947 Nako Spiron, ish-Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, që ‘de jure’, ishte kryeministri i vëndit dhe më pas në vitin 1956, Omer Nishani, Presidentin e Shqipërisë, apo siç quhej në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor), dhe sipas moralit komunist, e gjithashtu ligjeve në fuqi, vetëvrasja konsiderohej vepër armiqësore dhe personi që bënte një gjë të tillë, aq më shumë kur ishte me funksione zyrtare, në rastin më të mirë konsiderohej “disfatist e kapitullant”, ndryshe etiketohej si: “tradhëtar dhe armik i popullit”!

Nisur nga këto, edhe për Ndue Marashin nuk u bë asnjë përjashtim nga regjimi komunist i asaj kohe dhe mbi të ranë të gjitha akuzat si “armik i popullit” etj., dhe familja e tij u dëbua nga Tirana dhe u persekutua deri në shëmbjen e regjimit komunist. Lidhur me këtë ngjarje dhe misteret që ajo mbart ende, është shkruar pak vetëm pas viteve ’90-të dhe në 2018-ën, u realizua një dokumentar televiziv nga Radio-Televizioni Publik Shqiptar, ku familjarë të Ndue Marashit, dhanë versionet e tyre lidhur me atë ngjarje.

Nisur edhe nga fakti, se më datën 16 dhjetor, u mbushën 45 vite nga dita që Ndue Marashi humbi jetën në rrethana tragjike dhe ajo ngjarje ende mbetet e mbuluar me mister, Memorie.al u kontaktua nga z. Xhovalin Marashi, (djali i madh i Ndue Marashit), që prej vitesh jeton familjarisht në Belgjikë, i cili pasi i shprehu falenderimet redaksisë sonë për artikujt e botuar për babanë e tij, u tregua i gatshëm gjithashtu edhe për të dhënë një intervistë të gjatë dhe ekskluzive për Memorie.al, duke bërë publike për herë të parë, shumë nga anët e panjohura të asaj historie që lidhet me emrin e Ndue Marashit dhe familjes së tyre, intervistë të cilën po e publikojmë duke filluar nga ky numër.

Zoti Xhovalin, për historinë e babait tuaj, Ndue Marashi, është shkruar dhe më parë, (pra pas viteve ’90-të), por për të pasur një ide më të qartë për lexuesit, në fillim të kësaj interviste, a mund të na thoni shkurtimisht, nga është origjina e familjes Marashi dhe kur është vendosur ajo në Tiranë?

Familja e babait tonë, Ndue Marashi është me origjinë nga Malësia e Shkodrës (fshati Dushman i Dukagjinit) nga ku në vitin 1933, kur ka lindur dhe babai, Nduja, ajo u largua nga trojet e të parëve dhe zbriti në Shkodër, duke u sistemuar te Arra e Madhe afër Kishës, ku pas pak ditësh aty vdiq vjehrri i gjyshes sonë. Pas kësaj, nisur edhe nga fakti se nga viti 1930, e deri në atë kohë, gjyshes Drane i kishin vdekur edhe gjashtë fëmijë (thuhet nga fruthi i zi), ata të Kishës, i thanë asaj ‘ikni në Tiranë, se këtu nuk po u ecën fati’! Kështu, ata erdhën në Tiranë dhe fillimisht ata kanë jetuar në një shtëpi te Rruga “Ali Baushi”, afër shkollës “Xhezmi Delli”.

Me çfarë e siguronin ata jetesën kur u vendosën në Tiranë?

Gjyshja filloi punë si pastruese në Spitalin e Burgut të Tiranës dhe aty ka punuar si pastruese deri në vitin 1943, ku ajo si komuniste që ishte, bashkëpunoi me njësitin gueril të Tiranës, duke u dorzuar çelsat dhe ata hapën derën e ikin të gjithë të burgosurit politik, (me gjithë drejtorin e burgut, Mark Berisha në mos gaboj), duke dalë në male si partizanë. Kujtoj nga gjyshja, se me ata të burgosur ka qenë edhe Ndoc Mazi, që u vra më pas me “Pesë Heronjtë e Vigut”. Për atë gjë që bëri, gjyshja Drane u dënua tetë muaj burg dhe gjatë asaj kohe, nisur nga fakti se familja mbeti pa asnjë të ardhur, ata janë ndihmuar nga familja e Beqir Ballukut, familja Zenuni, Kacia, etj. Pas disa kohësh, familja e babait, u larguan nga Tirana dhe u vendosën në Kamëz, ku babai Nduja, filloi shkollën dhe punën, duke bërë karrierën, deri sa u ngjit në postin e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, në vitin 1973, duke zëvëndësuar aty Myqerem Fugën.

Para se të dalim aty, (pra te funksioni si Kryetar Komitetit i Ekzekutiv), ku u shkollua dhe ku kishte punuar babai juaj, Ndue Marashi?

Im at e mbaroi shkollën në Kamzë dhe aty filloi edhe punën për herë të parë si punëtor e brigadier, dhe gjatë asaj kohe ndoqi shkollën e lartë (Institutin e Lartë Bujqësor), me korespodencë dhe filloi punë aty si drejtor i konvikteve të Institutit dhe pas diplomimit shërbeu aty edhe si pedagog.

Pra, përveç gjyshes, Dranes, që i shërbeu Luftës dhe u burgos, shkollimi e puna në Institutin Bujqësor të Kamzës, ishte si të thuash “trampolina” që i shërbeu Ndues për të ngjitur shkallët e karrierës në atë kohë, deri tek posti i lartë i Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës?

Në një farë mënyre po, por përveç kësaj, para se të emërohej në atë funksion, babai punoi dhe pati edhe detyra të tjera, deri sa erdhi në krye të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës.

Konkretisht, ku?

Nga Kamza, babai u emërua në detyrën e Kryetarit të Kooperativës Bujqësore në Kashar, ku ai që në fillim pati një përplasje me kryeministrin Mehmet Shehu, gjatë një vizite pune që bëri ai në atë kooperativë asokhe (për punën e disa kuajve dhe lopëve që Nduja i kishte shitur në Fushë-Krujë dhe me ato të ardhura kishte blerë të tjera, për të përmirësuar rracën), dhe nga puna e mirë që bëri aty dhe sukseset që pati ajo kooperativë, jo vetëm në rrethin e Tiranës, por edhe në rang kombëtar, tim at e sollën me ngritje në Tiranë. Gjatë asaj kohe që babai ishte si Kryetar i Kooperativës së Kasharit, ai la një emër të mirë edhe në të gjithë fshatrat e asaj zone, pasi në atë kohë ai u dha kartat e antarësisë së Frontit Demokratik, edhe pjesës më të madhe të atyre që cilësoheshin si kulakë në të gjithë fshatrat që përmblidhte ajo kooperativë. Në atë kohë, pra në vitin 1966, (legjislatura e VII-të), babai u zgjodh edhe si deputet i Kuvendit Popullor. Pas largimit nga Kooperativa e Kasharit, ai erdhi fillimisht si sekretar i dytë i Komitetit të Partisë së Rajonit Nr.4 (që mbulonte fshatrat) dhe më pas sekretar i parë i atij rajoni, ku ai shërbeu deri në vitin 1973, që u emërua si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv së rrethit të Tiranës.

Kush e propozoi në atë detyrë?

Kryeministri Mehmet Shehu e thirri para se t’ja komunikonte, por fillimisht babai nuk pranoi, pasi kujtonte atë përplasje që kishte pasur me të kur ishte Kryetar i Kooperativës së Kasharit, ku në prani të gjithë kooperativistëve dhe kryesisë së asaj kooperative, Mehmeti ishte shprehur: “Ku e keni atë kryetarin që ka shitur kuajt, se do e vras…”?! Dhe nisur nga ky fakt, si dhe asaj që thuhej për kryeministrin Mehmet Shehu, pra për vrazhdësinë e tij dhe sjelljen me vartësit, (duke i sharë dhe ofenduar ata), babai e kishte të vështirë të punonte me të. Mesa di unë, puna shkoi deri te Enver Hoxha, ku Nduja u ankua dhe vetëm pas atij takimi, ai pranoi detyrën, duke thënë: “Jam ushtar i Partisë dhe do punoj ku ta kërkoj nevoja e atdheu”. Kështu babai filloi punë si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe në atë kohë, u zgjodh edhe anëtar i Komitetit Qëndror të PPSH-së, pa qenë asnjëherë kandidat. Pra, u thye një rregull statutor, që deri në atë kohë, por dhe sa dimë edhe më vonë, nuk ishte thyer për asnjë njeri tjetër.

Në këtë ngjitje të shpejtë të shkallëve të karierrës, a pati ndonjë ndihmë apo mbështjetje babai, pra ndonjë nga udhëheqja e lartë që edhe Nduja mund ta kishte ndihmuar në ato detyra që kishte si kryetar kooperative etj.?

Apsolutisht asnjë nuk e ka ndihmuar babanë tonë që të ngjiste shkallët e karrierës deri aty ku arriti dhe të gjitha këto, erdhën vetëm në saj të punës dhe djersës së tij, fushave e stallave të kooperativave, ku ai dilte pa lindur dielli dhe kthehej në shtëpi në orët e vona të natës. Pra me pak fjalë, vetëm puna dhe karakteri i tij si njeri i ndershëm dhe punëtor e ngjitën deri aty ku shkoi.

Nuk kishte Ndue Marashi asnjë mik nga udhëheqja e lartë në atë kohë?

Si fillim desha t’ju them, se njeriu që e ka dashur dhe e ka përkrahur më shumë babënë, Nduen, ka qenë Enver Hoxha dhe gjithashtu familja e tij, Nexhmija dhe Iliri. Këtë gjë nuk mund ta mohoj dhe jam i detyruar ta pohoj, edhe pse dihet tashmë se kush ka qenë Enver Hoxha, por kjo gjë është një realitet dhe nuk mund të rri pa e thënë edhe publikisht.

Para se të dalim tek marrdhëniet dhe raportet që ka pasur babai juaj me familjen Hoxha, për të cilën do ndalemi gjerësisht më poshtë, a mund të na thoni nga pjesa tjetër e udhëheqjes, kush kanë qenë ata që Ndue Marashi i kishte apo i konsiderointe si miq të tij?

Në parantezë desha t’ju them, se im at, Nduja, ishte një njeri shumë i thjeshtë dhe siç thonin atëherë, “i shkrirë me masën”. Pra shokët dhe miqtë e tij ishin njerëzit e thjeshtë, kooperativistë dhe punëtorë, me të cilat babai, jo vetëm që shoqërohej shumë, por ai hante bukë në mensat e kooperativës, njësoj si kooperativistët që punon gjithë ditën fushave, kanaleve dhe stallave. Nga kjo shtresë, babai kishte shumë miq të ngushtë që i respektonte dhe e respektonin. Për këtë gjë mund të dëshmojnë më sëmiri shumë nga ata që e kanë njohur, kudo ku ai ka punuar, pasi ka ende shumë prej tyre që jetojnë në ato fshatra apo në Tiranë. Ndërsa me rangjet e larta të udhëheqjes, babai kishte miqësi vetëm me pak funksionarë e personalitet, që i kishte lidhur puna, si p.sh. me Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Fadil Paçramin dhe Myslym Pezën. Me këta kishte shumë miqësi babai.

Para se të flasim për udhëheqjen e lartë, që sapo përmëndët, nga njerzit e thjeshtë që thatë se babai juaj i kishte miq të ngushtë, kujton ndonjë?

Po patjetër, kujtoj që ka pasur, si p.sh. Agim Bakia,(furxhi), Xhelal Troplini,(shofer) Xheladin Çoku,(shofer) Fat Tufina, (orë-ndreqës), Bashkim Shijaku,(arsimtar), etj.

Po me të tjerë, emra të njohur, me kë ka pasur miqësi?

Ka pasur miqësi edhe me disa të tjerë emra të njohur, si me Myslym Ketën, të cilin e kishte shok të ngushtë, Irakli Bozon, (prokuror), që e kishte shumë shok, Abedin Çiçin, (agronomi i njohur) Mark Dodani, (nënkolonel, oficer i Sigurimit të Shtetit), Hazbi Lamçe (nënkolonel, komandant burgjesh), Demlush Thaçi (ish-drejtor i Fermës së Kamzës), Fadil Lamin, (sekretar partie rajoni), Halim Stërmasi (agronom), Ilir Gjylbegu (mjeku i njohur gjinekolog), Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Bert Jashari, Miti Dheodhosi (sportistë të njohur), etj.

Nga ata të udhëheqjes së lartë, që përmëndët pak më sipër, që babai i kishte miq, a vinte ndonjë prej tyre për vizitë në shtëpinë tuaj, ose babai të shkonte tek ata?

Si fillim desha të them, se përveç Enver Hoxhës (që siç dihet ishte i rezervuar në vizitat që mund të bënte në familjet jashtë ‘Bllokut’ të udhëheqjes), te shtëpia jonë për vizita kanë ardhur e gjithë Byroja Politike, duke filluar nga Mehmet Shehu, që erdhën me rastin e 40 vjetorit të babait. Enveri edhe pse nuk erdhi vetë, dërgoi Haxhi Kroin dhe Sulo Gradecin, që e përshëndetën dhe uruan babanë në emër të tij zyrtarisht.

Përveç këtij rasti që erdhi e gjithë Byroja Politike, nga miqtë e babait, si Balluku, Këllezi, Paçrami, Myslym Peza, vinin te ju, pra kishte Nduja hyrje dalje familjare me ta?

Beqir Balluku me Abdyl Këllezin kanë ardhur nga një herë, kurse Fadil Paçrami, edhe pse ishte mik i ngushtë i babajt dhe bashkëshortja e tij, Violeta, ishte shoqe e ngushtë e mamasë, sonë, Françeskës, nuk pati ardhur asnjëherë në shtëpinë tonë. Në shtëpinë tonë vinte shpesh për vizita edhe Manush Myftiu me gruan e tij, Nefon, madje ata vinin aq shpesh, saqë ishin bërë si të shtëpisë. Por për hir të së vërtetës, jam i detyruar të them, se babai nuk kishte asnjë simpati për atë njeri dhe them se nuk ka qenë i gabuar, pasi Manushi, më pas u bë shkas edhe që i morrën jetën. Unë kam qenë i vogël, por e mbaj mënd shumë mirë, në një bisedë që babai po bënte me shokun e tij të ngushtë, Kiu Bozon, e quanin mëndjemadh dhe fodull Manushin dhe nuk kishin asnjë lloj respekti për të.

Ku keni banuar në atë kohë që babai Nduja ishte në funksionin e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, që vinin këta të udhëheqjes për vizita dhe a kishit personel shërbimi në shtëpi?

Ne fillimisht kem i banuaar në një apartament të thjeshtë, diku te rruga “Hoxha Tasim” dhe vetëm më pas, (pra në vitin 1973, kur babai u bë Kryetar I Komitetit Ekzekutiv), jemi zhvenbdosur me banim rreth 200 metra dhe kemi banuar te një vilë (pronë e Vangjel Manushit, ish-tregtar nga Durrësi)që ndodhet edhe sot diku afër “Shkollës së Kuqe, dhe përveç shoferit të babait, si Kryetar Komiteti, kishim vetëm një shërbyese në shtëpi, e cila merrej me punët që kishte nevojë shtëpia, si pastrimin, gatimin, pazarin etj. /Memorie.al

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe