Mjeku infeksionist Gent Stroni në një intervistë për gazetarin e ‘News24’ dhe ‘Balkanweb’, Erjon Skëndaj deklaroi se qytetarët nuk duhet të neglizhojnë masat për faktin se janë ulur me COVID-19 përgjatë këtyre ditëve.
Kryetari i Sindikatës së Mjekëve pohoi se beteja përballë koronavirusit do të jetë e gjatë edhe për disa kohë, shkruan “BalkanWeb”. Mes të tjerash ai i bëri apel qeverisë që të trajtojë si financiarisht dhe përmes trajtimeve dhe mjekët e spitaleve rajonale dhe ata të familjes, që po merren drejtpërdrejtë me rastet e pacientëve me COVID.
Po ashtu mjeku Stroni tha se është kundër rasteve të trajtimit në shtëpi të pacientëve me COVID-19 që kanë nevojë për më shumë se një burim oksigjeni, duke e cilësuar të rrezikshme për shëndetin e tyre.
“Strategjia fleksibël e COVID pretendohet që të ketë një ndryshim në vlerësimin që i bëhet stafit mjekësor. Për sa kohë u mendua që të dilet në hapjen apo decentralizimit të pjesë së trajtimit të COVID, spitalet rajonale kanë filluar të trajtojnë pacientë me këtë virus, të mbajnë dhe ata një pjesë të peshës. Ashtu sikurse një pjesë e mjekëve të familjes bëjnë dhe trajtimin e tyre, dhe më pas referimin e tyre në spitale. Ky staf po ngre pjesën e tij të mënyrës se si përqaset ndaj covid-it. Ndaj po ky staf do të duhet të trajtohet në këtë mënyrë siç i takon. Këta njerëz që aftësinë e tyre për COVID po e ngrenë, duhet të trajtohen, si nga ana profesionale dhe financiare. Kjo do i bënte ata më të motivuar dhe më të përgjegjshëm. Bën të mundur që situata e COVID të përballet shumë më mirë me ndihmesën e tyre. Mendoj se kjo di të ishte një mënyrë që drejtuesit duhet ta marrin në konsideratë dhe të shohin trajtimin e stafit. Kjo është një situatë globale, në të gjithë botën. Problematikat janë globale. A ekziston kjo pamundësi për t’u furnizuar tek të gjithë deri në elementin e fundit, atje ku një infermier dhe mjek, ka mundësi që të ndeshet me sëmundjen dhe është i pambrojtur?! Po është e vërtet! Gjithë problemi qëndron që këtë lloj pamundësie kundër këtij virusi, ta rregullojmë me një strategji. Duhen veshje për qendrat shëndetësore. Rastet me covid tashmë janë të shumta. Tashmë kemi dhe pacientë që paraqiten në qendra shëndetësore për patologji të tjera, dhe nuk e dinë se kanë covid. Rrezikojnë stafin mjekësor. Duhet një strategji mbrojtëse për mjekët. Kemi një ulje të rasteve të zbuluara. Por dhe të rasteve që paraqiten në spitale, janë më të pakta se sa në nëntor. Kjo vjen dhe si pasojë e saturimit të numrave, apo kalimit të pikut të famshëm. Kërkon analizë epidemiologjike. Rënia e numrit të rasteve nuk duhet të na bëjë që të ulim vigjilencën. Pasi jam i bindur që do kemi rrugë të gjatë. Dhënia e oksigjenit në shtëpi është e rrezikshme. Kalimi me 2 burime dhe 3 është e papranueshme dhe e rrezikshme në banesë. Nuk do të mund të kthehet në reanimacion një shtëpi. Nuk është një infermier që e sheh 3 herë në ditë një pacient, apo të ndryshojë terapinë dhe sigurimin e kushteve dhe kritereve që duhet të ketë ky person. Nga momenti kur dalim nga ajo pjesë e sasisë 5 litra për aparaturat e thjeshta, them se pjesa tjetër duhet të jetë në kushte spitalore.”, tha Stroni.