INTERPOL ka ngritur alarmin se shpërndarja e vaksinave anti-covid, mund të rrisë kriminalitetin.
Sipas tyre, vaksinat janë ari i vitit 2021 dhe grupet kriminale mund të synojnë që të grabisin kamionët e shpërndarjes së tyre.
“Vaksina është ari i lëngshëm i vitit 2021, gjëja më e çmuar për t’u shpërndarë vitin e ardhshëm dhe mafia dhe organizatat e tjera kriminale janë përgatitur tashmë. Me përhapjen e vaksinave, krimi do të rritet në mënyrë dramatike”,- tha Juergen Stock, shefi i INTERPOL.
Sipas tij, sulmet ndaj depove ku po mbahen vaksinat anti-Covid do të jenë të pashmangshme.
“Ne do të shohim vjedhje në depo dhe sulme ndaj dërgesave të vaksinave; korrupsioni do të jetë i shfrenuar në shumë vende për të marrë këtë aktiv të çmuar më shpejt. Një virus përhapet nga Azia në të gjitha kontinentet dhe pasohet nga një valë krimi, një pandemi paralele krimi, për të thënë kështu”,- vazhdoi shefi i Interpolit Juergen Stock në intervistë.
Sipas tij “grupet kriminale kanë menduar që në minutën e parë se si të bëjnë para në Covid-19”, ata kanë lëvizur shumë shpejt në produkte sanitare false, antivirale dhe maska false. Ai deklaroi gjithashtu se përpara se të autorizohet vaksina, kriminelët ishin gati me vaksinat e rreme.