Virusi i ri që ka nisur të qarkullojë në Britaninë e Madhe ka vënë në lëvizje edhe autoritetet shqiptare.
Pas mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se pas informacioneve të reja të deritanishme lidhur me mutacionin e ri të identifikuar të SARS COV2, ka vendosur të rekomandojë marrjen e masave të shtuara.
“Nga të dhënat e deritanishme të Qendrës Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve, mbi variantin e ri të SARS COV2, të identifikuar në Britaninë e Madhe, e cila gjatë javëve të fundit është përballur me një rritje të shpejtë të rasteve me COVID-19, jemi informuar se autoritetet e Britanisë së Madhe dhe vendet e BE-së po vijojnë kryerjen e hetimeve të tjera epidemiologjike, për të vlerësuar më tej impaktin e këtij variant të ri të SARS COV2. Duke marrë në konsideratë rekomandimet e Komitetit Teknik, për të kufizuar më tej riskun e përhapjes së infeksionit si dhe riskut të lartë të shkaktuar nga varianti i ri i SARS COV2, kemi vendosur: Pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe, duke filluar nga ora 06:00 e ditës së martë, datë 22 dhjetor, deri në datë 06 janar. Po ashtu, vendoset masa e karantinës së detyrueshme 14 ditore për qytetarët që hyjnë nga Britania përmes rrugëve të tjera”, tha Manastirliu. Vendosja e izolimit të detyrueshëm 14-ditor, sipas ministres, vjen si një masë paraprake, për të shmangur këtë infeksion apo mutacion të ri të SARS COV2.
BINO
Duke iu referuar të dhënave nga autoritetet britanike, për variantin e ri të koronavirusit që po qarkullon në këtë shtet dhe disa vende të tjera, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, tha se nuk ka të dhëna që ai të jetë më agresiv se virusi bazë. “Virusi i ri deri më tani s’ka të dhëna që ai paraqet forma të rënda të sëmundjes. Lidhur me impaktin që ka për riinfektimin, deri tani nuk vërehen të dhëna që ky virus të ketë shkaktuar riinfeksione. Pra, që ky variant, të ketë një sjellje të ndryshme. Ky variant ka të njëjtën sjellje si virusi bazë”, tha Bino gjatë deklaratës në Komitetin e Ekspertëve.
VIRUSI
Virusi i ri u identifikua më 13 dhjetor në komunën e Kentit në Anglinë e Jugut dhe analizat fillestare të shkencëtarëve qeveritarë çojnë përfundimin se ky virus “po përhapet më me shpejtësi se variantet ekzistuese”. Kryeministri britanik, Boris Johnson, disa ditë më parë vuri në dukje se varianti i ri është deri në 70% më ngjitës se variantet e mëparshme. Menjëherë pas kësaj, qeveria britanike doli me vendimin për të ashpërsuar masat anti-COVID, duke mbyllur lokalet, pub-et dhe restorantet.