MENU
klinika

“Suksesi i SPAK-ut s’është vetëm çka SHBA-të presin, por…”

Kim: Parakusht për arritjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit…

22.12.2020 - 12:45

Ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Shqipërisë dhe të mbështesin përpjekjen për të çuar përpara reformën në drejtësi.

Sipas saj, ndihma që SPAK të funksionojë është një prioritet për Ambasadën e SHBA.

“Ndihma që SPAK të funksionojë plotësisht (si PP ashtu edhe BKH) është një prioritet për Ambasadën e SHBA. Ky është një proces në rrugë e sipër dhe një parakusht për arritjen e rezultateve të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizua r. Suksesi i SPAK-ut nuk është vetëm çka Shtetet e Bashkuara presin – është ajo që qytetarët shqiptarë duan, kanë nevojë dhe meritojnë”, tha ambasadorja Kim në fjalën e saj ku u nënshkrua traktati SHBA-Shqiperi per ekstradimin.

Fjala e ambasadores Kim

Është një nder i madh të nënshkruajmë këtë Traktat Ekstradimi midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë së Shqipërisë, i cili është dëshmia e fundit e partneritetit gjithnjë e në rritje midis vendeve tona. Ky traktat modernizon dhe zëvendëson atë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Shqipërisë, të nënshkruar 87 vjet më parë, më 1 mars 1933, në Tiranë.

Ky Traktat Ekstradimi siguron një kornizë moderne, e cila do t’i mundësojë Shteteve tw Bashkuara dhe Shqipërisë të përballen në mënyrë më efikase me sfidat dinamike të paraqitura nga krimi ndërkombëtar. Ky traktat nuk i kufizon më veprat e ekstradueshme në një listë të thjeshtë. Fushëveprimi është zgjeruar për të pasqyruar konceptet moderne në luftën kundër krimit dhe natyrën e fortë të marrëdhënies sonë të sigurisë. Ky traktat siguron një tjetër armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve të cilët përpiqen të fshihen pas kufijve.

Nuk do të ketë asnjë strehë të sigurt, këtu apo në Shtetet e Bashkuara, për të arratisurit që përpiqen t’i shpëtojnë drejtësisë. Personat e kërkuar për ndjekje penale ose për kryerjen e një dënimi, për një krim të ekstradueshëm do të dorëzohen sipas kushteve të këtij traktati.

Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kritik në mbështetjen e Shqipërisë në zhvillimin e saj si një partnere efikase, e besueshme për ligjzbatimin Euro-Atlantik. Sa më efikase të jetë Shqipëria në ndjekjen penale të krimit ndërkombëtar, aq më e gatshme do të jetë për të qenë një anëtare e plotë e familjes Euro-Atlantike.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Shqipërisë dhe të mbështesin përpjekjen e saj për të çuar përpara reformën në drejtësi, pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat përballet. Përmes programeve tona të sektorit të drejtësisë, ne nxisim dhe mbështesim punën e paçmuar të Prokurorisë së Posaçme (PP) në vendosjen e përparësive dhe përqendrimin e burimeve në çështjet më të rëndësishme kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe kundër krimit të organizuar. Ne po punojmë gjithashtu edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) në çdo hap të zhvillimit të saj, duke ndihmuar aktualisht në zgjedhjen e më të mirëve nga hetuesit më të mirë, përmes një procesi të drejtë, objektiv dhe transparent të punësimit. Ndihma që SPAK të funksionojë plotësisht (si PP ashtu edhe BKH) është një prioritet për Ambasadën e SHBA. Ky është një proces në rrugë e sipër dhe një parakusht për arritjen e rezultateve të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Suksesi i SPAK-ut nuk është vetëm çka Shtetet e Bashkuara presin – është ajo që qytetarët shqiptarë duan, kanë nevojë dhe meritojnë.

Ndërsa vlerësoj përpjekjet tona të përbashkëta që çuan në marrëveshjen e sotme, unë besoj se ratifikimi dhe respektimi i angazhimeve të ekstradimit do të hyjë në fuqi pa vonesë dhe mirëpres çdo mundësi për bashkëpunim të gjerë dhe të fuqishëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Partneriteti ynë është jetëgjatë dhe miqësia jonë është e qëndrueshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN