Në një kohë që të paktën 40 vende i kanë bllokuar fluturimet me Mbretërinë e Bashkuar, komisioni Evropian i ka bërë thirrje vendeve anëtare të heqin kufizimet. Nëpërmjet një deklarate, Brukseli i kërkon shteteve të BE që të lejojnë “udhëtimet e domosdoshme “ për qytetarët e BE dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Kufizimet nuk duhet të pengojnë mijëra qytetarë të BE dhe Mbretërisë së Bashkuar që të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha Komisioneri Europian i Drejtësisë, Didier Reynders.
Ambasadorët e BE pritet të mblidhen gjatë pasdites që të diskutojnë për masa të koordinuara.
Franca ka bllokuar gjithë trafikun hyrës nga Mbretëria e Bashkuara qysh prej të dielës, pasi Britania konfirmoi variantin e ri të coronavirus që po përhapej me shpejtësi në Londër dhe në jug të Anglisë.
Po ashtu edhe Gjermania ka shtuar kufizimet për udhëtimet nga Mbretëria e Bashkuar deri në datën 6 janar. Shumica e vendeve të Europës Perëndimore kanë pezulluar rrugët e transportit me Britaninë.
Spanja dhe Portugalia njoftuan të hënën se do të pezullonin fluturimet më Mbretërinë e Bashkuar duke nisur nga e marta dhe Zvicra ka ndaluar hyrjen e pasagjerëve nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa qytetarët që kanë hyrë pas datës 14 dhjetor do duhet të izolohen për 10 ditë.