Anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese, Altin Binaj, u betua dje para Presidentit të Republikës, Ilir Metës. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, gjyqtari Binaj duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë u betua para Presidentit Meta se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.
Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, si dhe drejtuesja e misionit OPDAT të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Michelle Lakomy. Parlamenti miratoi të enjten e kaluar me 96 vota anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, Altin Binaj, duke e çuar në pesë numrin e anëtarëve në këtë gjykatë. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e cilësoi një detyrë të rëndësishme të Kuvendit për plotësimin e vendeve në këtë gjykatë. “Parlamenti shqiptar ka votuar sot anëtarin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me 96 vota, të mjaftueshme për ta zgjedhur atë anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese shqiptare. Kjo është një detyrë shtëpie e rëndësishme për ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë”, shkruante Balla në “Twitter”.
KED
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të mblidhet sot për listën përfundimtare që do t’i dërgohet Presidentit për të zgjedhur anëtarin e 6- të të Gjykatës Kushtetuese. Dje KED-ja mori në pyetje Aleksandër Tomën dhe Përparim Kalon, teksa sot pritet të shqyrtohet rasti i Zhaklina Petos. KED-ja njofton se pikëzimi dhe renditja për Tomën e Kalon është kryer, por nesër do të ketë një mbledhje për miratimin e raportit përkatës për listën përfundimtare që do t’i dërgohet pikërisht Presidentit. Por një tjetër vakancë e shpallur nga Presidenti, ajo që pritet të zëvendësojë gjyqtarin e larguar Besnik Muçi, vijon të mbahet peng prej dy muajsh. Për atë vakancë kandiduan 10 juristë, nga të cilët u kualifikuan Altin Binaj dhe Sonila Bejtja.
Duke qenë se Binaj tashmë u emërua me vendim të Kuvendit, në listë mbetet vetëm juristja Bejtja. Në një letër drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në 16 dhjetor 2020, Meta ka kërkuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që të zbatohet korrektësisht ligji dhe të kryhet verifikimi dhe pikëzimi i kandidatëve të kualifikuar. Duke i kujtuar se fundi i vitit po vjen shpejt, Meta thekson se “është e domosdoshme përfundimi i procedurave të verifikimit dhe vlerësimit të të gjithë kandidatëve dhe përcjellja e listave, me qëllim që Presidenti të ushtrojë kompetencën kushtetuese për emërimin e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese brenda muajit dhjetor 2020”.
Presidenti u drejtohet anëtarëve të KED-së se “ky proces nuk mund të shtyhet dhe as nuk duhet të mendohet nga ana Juaj se mund t’i delegohet për shqyrtim Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të funksionojë përgjatë vitit 2021, pasi kjo do të vononte procesin edhe me disa muaj të tjerë”. Për vënien në funksionalitet të Gjykatës, e cila është jashtë funksionit prej tre vjetësh, pas largimit prej vetingut të anëtarëve të saj, do të duhet të zgjidhet edhe të paktën një anëtar nga vakancat e shpallura nga Presidenti i Republikës.
Nëse deri në fund të vitit do të shkojnë në Gjykatë Kushtetuese edhe dy vakancat që duhet t’i miratojë Presidenti i Republikës, atëherë Gjykata Kushtetuese do të ketë 7 anëtarë. Aktualisht Gjykata përbëhet nga katër anëtare, Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferrllari dhe Fiona Papajorgji. Gjykata do të ketë kuorumin për të marrë në shqyrtim çështjet sapo të ketë gjashtë anëtarë, ndërsa votimi kërkon shumicë të cilësuar, 6 me zero ose 5 me 1. Priten më tej dhe dy anëtarë që duhet të vijnë nga propozimet e Gjykatës së Lartë, e cila për shkak të vetingut pret që të kompletohet me anëtarë të rinj
ANETARET E KUSHTETUESES
1. Vitore Tusha
2. Elsa Toska
3. Marsida Xhaferllari
4. Fjona Papajorgji
5. Altin Binaj