Një nga vëllezërit e punonjësit të Forcave Shqiponja, Albert Pjetri në Shkodër, lokali i të cilit u shënjestruar mbrëmë në një sulm me armë, ka deklaruar se ata nuk kanë asnjë konflikt si familje.
Në një prononcim për mediat, Vlash Pjetri ka treguar detaje nga ngjarja që ndodhi mbrëmë rreth ores 21:30 në afërsi të rrethrrotullimit të ‘5 heronjve te Vigut, ndërsa pohoi se pasi kishin dëgjuar krisma kishin dalë jashtë dhe kishin parë se lokali kishte pësuar dëmtime.
Po ashtu ai tha se pak më vonë kishin vënë re autorët e sulmit kishin qëlluar me armë dhe makinën e tyre që ishte parkuar në oborr. Pjetri tha se ngjarjen e lidhin me detyrën e vëllait si pjesë e forcave “Shqiponja”.
“Kemi qenë në shtëpitë tona si familje. Lokali ka qenë i mbyllur, kemi dëgjuar krismat. Kur kemi dalë, kemi parë lokalin, ishte dëmtuar. Pasi erdhi grupi hetimor për të bërë punën e vetë, kur thirrën vëllain për të deklaruar, kemi parë që makina ishte goditur. Kaq dimë për momentin. Dyshimet se di, ne jemi familje që jetojmë me djersë të madhe. Pavarësisht njëri vëlla që është me Shqiponjat e tjetri me Patrullën. Kjo i takon shtetit që ta zbardh. S’kemi konflikte asnjë prej familjes tonë. Përveç vëllait që punon me Shqiponja është një punë e tillë. Por pjesa tjetër e vëllezërve që punojmë në dy lokale, s’kemi asnjë problem. Tani ia lëmë në dorë organeve hetimore, pasi nuk mund të akuzosh asnjë kur nuk ke fakte. Lokali nuk ka pasur kamera, pasi jemi qenë vetë si familje këtu dhe nuk kemi pasur probleme. Grupi hetimor ka kontaktuar me vëllain. Kemi indice, por se sa është e saktë, se dimë. Mendojmë se goditja ka qenë për shkak të punës së vëllait tek “Shqiponjat”. Se di se ka pasur probleme madhore, por kjo s’do të thotë se duhet të mbërrijmë në këtë pikë”, -tha vëllai i efektivit të policisë.