Këshilli i Emërimeve në Drejtësi gjatë mbledhjes së sotme ka bërë të mundur pikëzimin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, duke i çuar presidentit Meta dy emrat e parë që janë Përparim Kalo dhe Aleksandër Toma.
Meta do të duhet që të zgjedhë anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, që në mënyrë të tillë ajo të bëhet funksionale.
Njoftimi i KED:
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 23.12.2020, vijoi mbledhjen, sipas rendit të ditës së njoftuar në datë 22.12.2020, në lidhje me miratimin e vendimeve për kandidatët e lejuar dhe miratimin e raportit përkatës mbi listën përfundimtare të renditjes, i cili do t’i dërgohet më pas organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar, Z. Aleksanër Toma dhe Z. Përparim Kalo për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese vakancë e parakohshme,e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, rishpallur në datën 27.09.2019 dhe rishpallur në datën 24.09.2020, si edhe listën përfundimtare të renditjes së bashku me raportin përkatës.
KED do t’i përcjellë këto akte brenda ditës së sotme, pranë organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë.