Përparim Kalo, anëtari i gjashtë i emëruar i Gjykatës Kushtetuese, do të betohet sot përpara Presidentit të Republikës.
Kalo është anëtari i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, duke e bërë tanimë këtë gjykatë funksionale dhe duke përmbushur një kërkesë të ndërkombëtare për vënien në funksion brenda këtij viti.
Gjykata Kushtetuese e përbërë nga nëntë anëtarë dhe e themeluar në vitin 1992, doli jashtë funksioni në korrik të vitit 2018.
Në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës bëhet me dije se “Zoti Përparim Kalo, anëtar i emëruar i Gjykatës Kushtetuese, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, ditë e enjte në datë 24.12.2020, ora 10:30.
Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë apo një përfaqësues i zgjedhur prej tij, Kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, dhe Avokatja e Popullit”.
NJOFTIM PUBLIK
MBI ORGANIZIMIN E CEREMONISË SË BETIMIT TË GJYQTARIT TË RI TË GJYKATËS KUSHTETUESE
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, në datë 23.12.2020, ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese (vakancë e parakohshme).
Presidenti Meta, pasi shqyrtoi praktikën dhe dokumentacionin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në përfundim, me Dekretin nr. 11882, datë 23.12.2020,ka vendosur të përzgjedhë dhe ka emëruar zotin Përparim Kalo gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese për plotësimin e kësaj vakance.
Presidenti Meta, në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ka vendosur që:
– Zoti Përparim Kalo, anëtar i emëruar i Gjykatës Kushtetuese, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, ditë e enjte në datë 24.12.2020, ora 10:30.
Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë apo një përfaqësues i zgjedhur prej tij, Kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, dhe Avokatja e Popullit.