Vendet e Bashkimit Europian kanë nisur aplikimin e vaksinës së kompanisë Pfizer, ndërsa Shqipëria i ka shpresat te vaksina e Oksfordit dhe Astra-Zeneca-s. Dozat e para pritet të sigurohen në fillim të vitit 2021, por Silva Bino nuk përjashton mundësinë e ardhjes së vaksinës së Pfizer/Biontech dhe Moderna.
“Marrëveshja na favorizon për vaksinën e Astra-Zeneca. Është një vaksinë e cila, edhe nga pikëpamja logjistike, është një vaksinë më e kollajshme për t’u administruar në mënyrë të sigurt.
Por, edhe Pfizer është një mundësi, edhe Moderna është një mundësi. Nga COVAX e kemi njoftim që brenda tremujorit të parë vaksina do të sigurohet, e natyrisht ka lajme shumë të mira nga Bashkimi Europian”, shprehet ajo për A2.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se një sasi e vogël vaksinash pritet të mbërrijnë në muajin janar edhe në Shqipëri, por kjo nuk konfirmohet nga shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik.
“E rëndësishme është që të jemi të përgatitur për të aplikuar një vaksinë të sigurt, në mënyrë të sigurt”, thotë Bino.
Ajo deklaron se Shqipëria ka kapacitete frigoriferike për të ruajtur 30 mijë doza anti-Covid në kushtet që kërkon Pfizer, -70 gradë celsius, dhe të Moderna-s, -20 gradë celsius. Krahas zinxhirit ftohës, në sistemin publik do të bashkëpunohet edhe me kompanitë private në vend.