MENU
klinika

Pallatet e braktisura

Si duhet të veprojnë qytetarët për të marrë tapinë?

25.12.2020 - 12:24

Ka vetëm një kusht për familjet të cilat kanë blerë apartamente në pallate të pahipotekuara apo të braktisura, të bëhen bashkë dhe të aplikojnë pranë Agjencisë së Kadastrës. Prej gati tre vitesh kanë nisur procedurat e regjistrimit për këto objekte, duke iu dhënë mundësinë qytetarëve që të bëhen pjesë e procesit dhe të marrin certifikatën e pronësisë për apartamentin që kanë në posedim.

Ligji përcakton që për pallatet, të cilat janë vetëdeklaruar nga ndërtuesi procedura të fillojë fillimisht me ta.

Por në rast se investitori brenda një afati 30-ditor nuk do t’i përgjigjet thirrjes së agjencisë, atëherë procedurat do të nisin me qytetarët që kanë blerë apartamente në këto pallate. Gjatë komunikimit të përjavshëm me qytetarët përmes rrjeteve sociale, kreu i Kadastrës, Artan Lame, bëri të qartë se s’mund të veprohet me legalizimin e apartamenteve veçmas. Sipas tij, për nisjen e procesit duhet që qytetarët të bëhen bashkë duke caktuar një administrator që do të ndjek procesin.

“Qytetarët vetëm nuk mund të bëjnë asgjë. Është e domosdoshme që ju të përcaktoni një administrator që të mbledhë dokumentacionin. Më vete është e kot që mundoheni ta zgjidhni. Pa u bërë bashkë, s’mund të procedohet me një apartament veçmas”.

Nga ana tjetër, Risena Xhaja zëvendësdrejtoresha e Kadastrës tha se procesi nuk iniciohet nga Kadastra, por nga vetë qytetarët, pra duhet të jenë këta të fundit që duhet të aplikojnë.

“Vendimi parashikon që në rastet kur subjekti ka falimentuar iu lind e drejta vetë qytetarëve që të aplikojnë për lejen e legalizimit dhe më pas për certifikatën e pronësisë. Qytetarët duhet të përcaktojnë një administrator me prokurë, i cili do të paraqitet pranë drejtorisëpërkatëse dhe të dorëzojë dokumentacionin që disponon. Vlen të theksohet po ashtu, se nuk është Agjencia e Kadastrës që inicion procesin, por vetë qytetarët, të cilët duhet të bëhen bashkë”, tha Xhaja.

Gjithsej janë 13 dokumente që duhet të dorëzohen për të marrë certifikatën e pronësisë. Caktimi i një përfaqësuesi, kopjet e vetëdeklarimeve apo kontratave, si edhe lista e banorëve janë tre dokumentet bazë për fillimin e procedurave të hipotekimit të pallateve pa leje.

Krahas dokumentacionit të mësipërm, duhet të dorëzohen po ashtu: kopje të kartave të identitetit të personit/personave që kanë kryer blerjen, certifikatë familjare të blerësit në momentin e blerjes, kalimet mbi pronësinë, nëse ka pasur shitje te palët e treta, projektin e miratuar, projektin e gjendjes ekzistuese, tabelën e sipërfaqeve, aktekspertizën e qëndrueshmërisë së objektit, si edhe çfarëdo akti noterial që lidhet me posedimin dhe pronësinë.

Sa i takon projektit të pallatit, mund të merret nga njësia Vendore, autoriteti që ka lëshuar lejen e ndërtimit, mund të prodhohet nga një subjekt i licencuar i kontaktuar nga qytetarët, ose nga drejtoria përkatëse e ASHKsë.

Ndërkohë, lidhur me aktekspertizën për qëndrueshmërinë e objektit, është dokument teknik, i cili lëshohet nga inxhinier i licencuar, dhe përgatitet detyrimisht për të gjithë godinën. Nga Agjencia janë identifikuar 1320 pallate të pahipotekuara, pjesa më e madhe në Tiranë.

RASTET ME KONFLIKT

Lidhur me rastet që janë në konflikt apo në proces gjyqësor, zv.drejtoresha e Agjencisë së Kadastrës sqaroi se me ligjin e ri të miratuar në maj të këtij viti, nuk penalizohen të gjitha familjet.

Çka do të thotë se për apartamentet që s’janë të përfshira në proces gjyqësor do të vijohet me procedurat e legalizimit dhe regjistrimit.

“Me ligjin e ri, “Për proceset kalimtare të pronësisë”, ne i kemi dhënë zgjidhje kësaj problematike. Deri dje ne nuk mund të procedonim me legalizimet në momentin që ishin në proces gjyqësor. Sot, ndërkohë është hapur një dritare dhe ne mund të vazhdojmë procedurën e legalizimit për ato njësi që nuk janë të përfshira në proces gjyqësor, pra që nuk janë të përfshira në kontratën mes ndërtuesit dhe pronarit të truallit dhe lemë mënjanë apo pezullojmë punën për ato njësi, të cilat janë në proces gjyqësor. Në momentin që përfundojnë procedurat e gjyqit, përfshihen edhe këto njësi”, theksoi Xhaja.

TARIFAT

Agjencia ka bërë të qartë, që procesi do të jetë me zero kosto dhe të gjitha procedurat do të ndiqen nga Kadastra, përveçshpenzimeve për dokumentacionin.

“Të vetmet shpenzime janë shpenzimet e dokumenteve që duhet të përgatisin qytetarët për t’i dorëzuar pranë Agjencisë së Kadastrës, që janë akti i ekspertimit që përpjesëtohet me të gjithë banorët e pallatit dhe dokumentet lidhur me prokurën që bëhet me administratorin”, vuri në dukje Xhaja. Por, nuk mund të thuhet njëjta gjë për investitorët. Detyrimet që këta të fundit kanë, nuk fshihen dhe fatura do të transferohet në Drejtorinë e Tatimeve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN