Milan e mbylli vitin si kampion dimri, i pathyeshëm në sezonin e ri. Në fakt nuk është mposhtur në kampionat që nga 8 marsi i këtij viti në 25 ndeshje radhazi në Serie A. Por kuqezinjtë në disa ndeshje kanë qenë me fat, pasi golat erdhën pas minutës së 90-të.
Trajnerët thonë vazhdimisht që ndeshja zgjat 90 minuta, por në fakt jo rrallë ndodh që ajo të vendoset në kohën shtesë. Në Serie A ekipi që e shfrytëzon më shumë këtë hapësirë është Milani pas 14 javëve të para. Skuadra e Stefano Piolit, që udhëheq klasifikimin, ka përfituar 4 pikë me golat e realizuar pas minutës së 90’.
Në këtë renditje Milan ndiqet nga Lazio që ka marrë 3 pikë në këtë moment të takimeve në kampionat. Vetëm 1 pikë me golat e shënuar në kohën shtesë kanë përfituar Napoli, Inter, Fiorentina dhe Bologna. Pikërisht zikaltrit, nëse ndeshja do të mbyllej në minutën e 90-të, do të ishin në krye me 32 pikë.
Një klasifikim më të mirë nëse takimi do të zgjaste aq sa koha e rregullt, do të kishte Torino, pasi do të numëronte 5 pikë më shumë, apo Parma e Spezia, me nga 3 më tepër. Por ja që ndeshja përfundon atëherë kur vërshëllen arbitri.