Autoritetet kineze dënuan me 4 vjet burg ish-avokaten Zhang Zhan, e cila mbuloi krizën e pandemisë së koronavirusit në qytetin e Wuhanit.
37-vjeçarja u arrestua në maj dhe ka qenë në grevë urie për disa muaj. Avokatët e saj thonë se aktualisht nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Zhang është njëra nga disa prej gazetarëve, që kanë hasur probleme për raportimin mbi Wuhan.
Nuk ka asnjë media të lirë në Kinë dhe autoritetet dihet se duan të kontrollojnë aktivistët dhe çdo gjë që shihet si nënvlerësim i qeverisë.
“Zhang Zhan dukej e shkatërruar kur u shpall dënimi”, shprehet një nga avokatët e saj mbrojtës.
Avokati shtoi se nëna e znj. Zhang, e cila ishte në gjykatë, qau me të madhe ndërsa lexohej vendimi.
Gazetarja kishte udhëtuar në Wuhan në shkurt, për të raportuar në mënyrë të pavarur për shpërthimin e koronavirusit. Raportet dhe esetë e saj të drejtpërdrejta u shpërndanë gjerësisht në mediat sociale, duke e sjellë atë në vëmendjen e autoriteteve kineze.
Në punët e saj përfshihej dhe informacioni për ndalimin e gazetarëve të tjerë të pavarur dhe kërcënimin e familjeve, për viktimat që kërkonin llogari. Në një intervistë, Zhang thotë se filloi të dokumentonte atë që pa në rrugë dhe spitale, pavarësisht kërcënimeve nga autoritetet.
“Ndoshta kam një shpirt rebel … Unë thjesht po dokumentoj të vërtetën. Pse nuk mund ta tregoj të vërtetën?”, thotë ajo në një pjesë të intervistës.
“Nuk do ndaloj ta bëj këtë, sepse ky vend s’mund të kthehet mbrapsht.”
Sipas CHRD (Chinese Human Rights Defenders), “Mbrojtësit e të drejtave të njerëzve kinezë”, një organizatë jo-qeveritare, Zhang u zhduk në 14 maj dhe një ditë më vonë u zbulua se ajo ishte ndaluar nga policia në Shangai.
Ajo u akuzua zyrtarisht në fillim të nëntorit. Fleta e akuzës pretendon se ajo dërgoi “informacion të rremë përmes tekstit, videos dhe mediave të tjera, si Twitter, YouTube”. Ajo akuzohet gjithashtu për pranimin e intervistave me media të huaja dhe “përhapjen me qëllim të keq” të informacionit në lidhje me virusin në Wuhan.
Deri më tani, mendohet një dënim prej 4-5 vitesh. Një nga avokatët e saj tha në një deklaratë se kur ai e vizitoi, në fillim të dhjetorit, ajo po ushqehej me forcë, përmes një tubi ushqyes. Ai gjithashtu tha se ajo vuante nga dhimbje koke, stomaku dhe marrje mendsh.
“Ajo ndihet e lodhur psikologjikisht, pasi çdo ditë është një mundim.”
Zhang është arrestuar më parë në 2019-ën, pasi mbështeti hapur aktivistët në Hong Kong.
Leo Lan, një konsulent kërkimi në CHRD, thotë se dënimi i Zhang është “alarmant”.
“Dënimi i saj është kaq i rëndë. Qeveria kineze është shumë e vendosur t’i frikësojë qytetarët që përpiqen të zbulojnë atë që ndodhi në Wuhan”, tha ai për BBC.
Disa gazetarë të tjerë vendas që raportuan nga Wuhan, Li Zehua, Chen Qiushi dhe Fang Bin, u zhdukën në fillim të këtij viti.
Li u rishfaq së fundmi dhe tha se ishte karantinuar me forcë, ndësa Chen sipas raportimeve, po qëndron me familjen, nën mbikëqyrjen e qeverisë. Vendndodhja e Fang Bing nuk dihet ende.