Ish-zëvendësministri i pushtetit lokal dhe ish-deputeti i PS-së, Taulant Dedja, ka hedhur akuza të forta ndaj politikanëve shqiptarë se janë të influencuar nga shteti grek. Përmes një shkrimi të bërë ditën e djeshme marrë shkas nga çështja e detit e rihapur së fundmi, Dedja thotë se kjo bindje i është forcuar.
Në shkrimin e tij ish-deputeti i PS-së kujton një episod ku si drejtor i përgjithshëm i pushtetit lokal në vitin 1998 ka zbatuar parimin e reciprocitetit me palën greke. Ndërkohë të njëjtën gjë Dedja apelon që të bëhet edhe aktualisht kur shteti grek ka vendosur zgjerimin me 12 milje në det, në një kohë që janë në negociata me Shqipërinë për delimitimin e detit.
TAULANT DEDJA
Nuk e kisha menduar ende seriozisht t’u kthehesha kujtimeve të viteve në politikë. Kjo e sotmja është një sprovë e nxitur nga aktualiteti. Tema e këtyre ditëve, ajo e kufirit detar me Greqinë, më ka përforcuar akoma më shumë bindjen që kam pasur prej kohësh mbi faktin e kontrollit dhe ndikimit që ka fqinji grek mbi politikën dhe politikanët shqiptarë.
Nga vitet e kaluara në politikë kam jo pak raste bashkëpunimi apo kontaktesh direkte me zyrtarë, politikanë apo diplomatë të vendit fqinj, ndër ta edhe Pangallos (ish-ministër i Jashtëm), Papadhopulos (ish-ministër i Brendshëm) apo Niko Dendias (ministri aktual i Jashtëm), të cilët i kam njohur personalisht.
Në këtë kontekst, sot po kujtoj një ngjarje të pranverës 1998 (më duhet ta verifikoj datën e saktë), kur në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Pushtetit Lokal kisha detyrën e organizatorit (dhe kryesuesit të delegacionit) nga pala shqiptare në një aktivitet trepalësh Shqipëri-Greqi-Këshilli i Europës mbi bashkëpunimin ndërkufitar mes autoriteteve lokale. Kjo ishte dhe mbetet një temë e rëndësishme për Këshillin e Europës. Ekziston dhe një konventë europiane për këtë bashkëpunim, dokument të cilin një vit më pas, më 1999-ën, Shqipëria e ratifikoi pa rezerva.
Aktiviteti ishte 3-ditor. Një ditë e gjysmë në Follorinë dhe një ditë e gjysmë në Korçë. Grupi grek drejtohej nga sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Brendshme të Greqisë, Evdokia Serrelis (në grup ishte dhe konsulli grek në Gjirokastër), ndërsa grupi i Këshillit të Europës nga Tarcisio Bassi, një italian që mbante postin e drejtorit që mbulonte dhe bashkëpunimin ndërkufitar në administratën e KE-së në Strasburg. Bashkë me mua, në grupin shqiptar bënin pjesë një numër të zgjedhurish lokalë nga bashkitë dhe rrethet e kufirit jugor dhe juglindor. Po ashtu dhe disa ekspertë nga Ministria e Pushtetit Lokal (e sapokrijuar), nga Drejtoria e Kufirit të Ministrisë së Rendit, si dhe nga Ministria e Jashtme.
TRI SJELLJET ME PALËN GREKE
Nga ato tri ditë intensive do të kujtoj sot vetëm tri momente që më pas ndikuan në karrierën time në formë mësimi mbi të gjitha. I pari ishte momenti kur pasi kaluam kufirin shqiptar dhe hymë në tokën greke (të gjithë në një autobus) si delegacion zyrtar na u desh t’i nënshtroheshim një kontrolli të gjatë dhe të imtësishëm dokumentacioni.
Gjithsesi e morëm me sportivitet dhe nuk treguam në asnjë çast humbje durimi. Por kjo ishte shenja më e qartë që dëshmonte në ç’nivel ishte bashkëpunimi ndërkufitar lokal me fqinjin historik. Momenti i dytë ishte drejtimi që m’u desh t’i jap fjalës sime në sesionin e konferencës në Follorinë. Aty mori pjesë i ftuar edhe ministri grek i Maqedonisë dhe Kretës, diskursi i të cilit ishte një atakim i kamufluar me një lloj kujdesi, por gjithsesi shumë ironik, madje përçmues ndaj Shqipërisë. Shkurt, ideja e ministrit grek ishte që nuk ka kuptim të flitet për bashkëpunim ndërkufitar autoritetesh lokale më një vend, që sipas tij, ishte burim emigrantësh klandestinë dhe trafiqesh të paligjshme.
E kujtoj që fjala e tij jo vetëm krijoi një lloj tensionimi në sallë, por la shije të hidhur edhe te zyrtarët e Këshillit të Europës, që ishte edhe institucioni kujdestar dhe financues i aktivitetit. Në pushim, pas konsultimit me kolegët e ministrive të cilët edhe sot i vlerësoj maksimalisht për këshillat e vyera, vendosa të ndryshoj jo pak thelbin e fjalës time.
Shkurt, pasi theksova vullnetin e palës tonë për thellimin e bashkëpunimit ndërkufitar me fqinjët në respekt të linjave udhëzuese të KE-së, shpreha qartazi dy gjëra thelbësore: E para, Shqipëria nuk është burimi i trafiqeve, por pjesë e vogël apo rrugë kalimi në një territor të madh trafiqesh që përfshin shumë vende, nënkupto këtu dhe trafikun e vizave që në radhë të parë bëhet nga ambasada apo konsullata të caktuara në bashkëpunim me qytetarë shqiptarë.
Pra, trafiqet janë përgjegjësi e përbashkët dhe betejë e përbashkët. E dyta, lëvizja e lirë pa viza mbetet “ilaçi” më efikas për eliminimin e klandestinëve që në fund të fundit shkonin në vendet fqinje për arsye ekonomike. E thashë copë që nga lëvizja pa viza e shqiptarëve nuk do t’u shkaktohej asnjë lloj destabiliteti fqinjëve. Momenti i tretë ishte kthimi drejt Korçës. Kur hyra në kufirin shqiptar ishte parashikuar që të shkëputesha nga grupi për të shkuar sa më parë në sallën ku do të vazhdonte konferenca (ish-biblioteka e qytetit), në mënyrë që të sigurohesha që gjithçka ishte në rregull e në përputhje me standardin e organizimit që kërkonte KE-ja.
PARIMI I RECIPROCITETIT
Para se të nisesha drejt Korçës, pata një bisedë të shpejtë me drejtuesit e kufirit shqiptar në Kapshticë, të cilët kishin dijeni për kontrollin e zgjatur të palës greke që grupi ynë i ishte nënshtruar dy ditë më parë. Pyetjes se si duhej vepruar me autobusin me pushtetarë lokalë grekë që m’u bë, iu përgjigja fare shkurt: meqenëse doni mendimin tim, zbatoni ligjin dhe parimin e reciprocitetit. Sigurisht procesi i kontrollit dhe vulosjes së pasaportave mori kohën e duhur.
Nuk e harroj turfullimin e konsullit grek të Gjirokastrës teksa priste në Korçë mbërritjen e autobusit me pushtetarë lokalë nga vendi i tij para hotelit kryesor në qendër të qytetit, pak metra nga salla e konferencës. Një moment m’u drejtua me një lloj arrogance që nuk u përpoq fare ta fshihte duke më kërkuar llogari pse po vonohej delegacioni. Iu afrova atij tipi paksa katror dhe të shkurtër dhe vetëm dy pëllëmbë nga fytyra e tij e duke e shikuar drejt e në sy i thashë prerë: Zoti konsull, ke gjetur personin e gabuar për t’iu drejtuar në këtë mënyrë dhe mos guxo të kalosh caqet që ti je i detyruar të mos i kalosh. Kjo ishte përgjigja që i ktheva një palo diplomati grek, që ashtu si mora vesh më vonë, kishte shitur jo pak viza në bashkëpunim me një kryetar bashkie socialist në Gjirokastër, me të cilin siç thotë populli, ishin “bythë e brekë”.
Miku i konsullit qëlloi që ishte ministri me të cilin punova disa kohë. Konsulli u ankua te ministri. Si rrodhën ngjarjet pas ankesës së konsullit te ministri? Emërimi im zëvendësministër i Pushtetit Lokal u bllokua nga ministri. Unë dhashë dorëheqjen, por Nano nuk e pranoi. Pas një bisede në zyrën e tij (ku një pjesë të kohës ishte prezent edhe ministri që i servilosej si zakonisht Nanos), më bindi të vazhdoja punën.
“Kam nevojë për të gjithë, për të qeverisur”, ishin fjalët e tij që nuk do t’i harroj kurrë… Si përfundim vendi i zëvendësit mbeti bosh deri në tetor 1998, kohë kur e mora emërimin nga qeveria Majko… Në periudhën midis, m’u desh të kaloj disa muaj në Tropojë në emër të shtetit, atje ku kishin ardhur mijëra refugjatë nga Kosova e nga ku përgatitej një pjesë e ngjarjeve që do të pasonin në mars 1999. Isha vetëm 33 vjeç asokohe. Me grekët dhe ministrin mik të grekëve kam dhe plot ngjarje të tjera për të kujtuar, por gjërat kanë radhë.
Sot thelbi i këtij reflektimi që desha të theksoj është parimi i reciprocitetit, kaq i rëndësishëm në raportet mes shteteve. Shpresoj që ka ende ndonjë drejtues të shtetit shqiptar që të mos e ketë harruar këtë! Njeri prej tyre, sot President i Republikës, ka pasur kurajën ta përmendë qartë “Çështjen e Çamërisë” në janar të vitit 2000, në selinë e Kryeministrit grek Kosta Simitis, në një konferencë shtypi. Kam qenë vetë aty dëshmitar i drejtpërdrejtë.