Autoritetet braziliane do të mbyllin plazhin e famshëm në Rio de Zhaneiro, në prag të Vitit të Ri, si masë kundër përhapjes së koronavirusit.
Këshilli i qytetit shkroi në “Twitter”, se hyrja në plazhe do të bllokohet.
Banorët dhe punëtorët në zonat e prekura do të duhet të tregojnë dokumente që vërtetojnë se kanë të drejtë të jenë atje.
Kufizimet e reja prekin 30 kilometra vijë bregdetare midis Leme dhe Pontal.
Javën e kaluar, administrata e qytetit kishte deklaruar tashmë se do të mbyllte plazhin e Copacabanas, tradicionalisht zemra e festimeve të Vitit të Ri, në Rio.
Ekstravaganca e Rios tërheq miliona turistë në qytetin port çdo vit. Fishekzjarrët, që zakonisht hidhen nga gomone, janë anuluar këtë vit.
Festa e planifikuar e fillimit të vitit me një transmetim koncerti gjithashtu është anuluar. Asnjë muzikant, grup ose DJ nuk do të interpretojë në Copacabana.