Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka prezantuar sot rezultatet mbi fazën e dytë të studimit seroepidemiologjik për gjendjen e imunitetit të popullsisë në situatën e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, sipas të dhënave prej depistimit.
Mjekët Genc Sulçebe dhe Alban Ylli që kanë drejtuar studimin e fundit, kanë arritur në përfundimin se 50% e popullatës në Tiranë e kanë kaluar Covid-19 dhe kanë fituar antitrupa.
Sipas mjekut Sulçebe, në popullatën e Tiranës kemi 50% imunitet: “Në fund të 2020 mbi 50% e popullsisë së Tiranës janë imunë ndaj koronavirusit. Përparësi të vaksinohen ata që nuk e kanë kaluar infeksionin. Sepse janë më të brishtë. Të tjerët kanë anti-trupa“.
“Studimin e realizuam në tre faza për të parë si ishte gjendja pas lock-down. Bëmë sondazh tek 124 individë dhe rezultoi se vetëm 1 ishte pozitiv. Kontakti i virusit me popullatën ishte minimal. Pra na nxiti që të shohim gjendjen e shtrirjes në një popullatë më të gjerë. U përzgjodhën popullatat e disa qendrave shëndetësore, me rreth 200 mijë banorë. Dolën pozitivë 48.5%. Ky është konkluzioni që nxjerrim sot. Pra kemi qenë në kontakt me virusin dhe janë të imunizuar dhe shpresojmë që ky imunitet të jetë afatgjatë. Kjo popullsi përfaqëson atë të Tiranës. Gjysma e popullatës së Tiranës e kanë kaluar pandeminë dhe janë imunizuar në mënyrë natyrale”, tha ai më tej.
Nga të dhënat e bëra publike nga ASH, në rang kombëtar, rezulton të ketë fituar imunitet 25% e popullatës.
Të dhënat për studimin janë marrë nëpërmjet testimeve serologjike të realizuara nga specialistёt imunologë, pjesë e shërbimit të imunologjisë pranë QSUT, anëtarë e bashkëpunëtorë të Akademisë.