Ambasada e Rusisë në Tiranë reagon pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Rama, i cili e quajti ofertën e Rusisë për vaksinën anti-Covid “Sputnik V” provokim. Ambasada thotë se ata ofruan gatishmërinë e tyre.
“Është e vështirë të kuptohet pse Kryeministri i nderuar i Shqipërisë z. Edi Rama u mërzit kaq shumë nga komenti i Ambasadës së Rusisë në faqen e saj në Facebook më 28 dhjetor të këtij viti”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ambasadës së Rusisë në Tiranë.
REAGIMI I PLOTË:
Është e vështirë të kuptohet pse Kryeministri i nderuar i Shqipërisë z. Edi Rama u mërzit kaq shumë nga komenti i Ambasadës së Rusisë në faqen e saj në Facebook më 28 dhjetor të këtij viti.
Ambasada vetëm reagoi ndaj re-twitit të Drejtorit të Komunikimit të Kryeministrit, z. E. Fuga, në lidhje me fillimin e vaksinimit kundër Covid-19 në vendet anëtare të BE-së (https://twitter.com/endrifuga/status/1342754317560918018) dhe deklaratës e vetë të kreut të Qeverisë së Shqipërisë në konferencën e tij për shtyp në 24 dhjetor, gjatë së cilës ai përmendi vështirësitë në sigurimin sa më shpejt të jetë e mundur e sasisë së nevojshme të vaksinave për popullatën e vendit (https://top-channel.tv/…/vaksina-e-covid-rama-vendim…/).
Në komentin e Ambasadës bëhej fjalë për gatishmërinë e institucionit rus të autorizuar – Fondit të Investimeve Direkte – për të shqyrtuar aplikimet nga çdo vend i interesuar për blerjen e vaksinës ruse kundër koronavirusit, përfshirë Shqipërinë. Në Rusi nuk ka dyshime se bashkimi i përpjekjeve të të gjitha shteteve, që kanë kryer kërkime shkencore dhe kanë teknologjitë përkatëse, do të ndihmojë njerëzimin të kapërcejë këtë fatkeqësi dhe të kthejë qytetërimin në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Në të njëjtën kohë, Moska nuk u vë asnjë kusht partnerëve potencialë.
Na vjen keq që vullneti i mirë i Rusisë, i shprehur publikisht, interpretohet si veprime provokuese. Për t`u bindur që nuk është kështu, mjafton të njiheni me tekstin e komentit.