MENU
klinika

NGA PASKAL MILO

Përtej çështjes së detit në politikën e jashtme shqiptare

30.12.2020 - 15:11

Përsëri një “ushqim” i shijshëm grek u hodh në këto ditë Krishtlindjesh, në tryezat e uritura të politikës e të pseudonacionalizmit shqiptar. Është fjala për dekretin presidencial grek, për mbylljen e gjireve dhe vendosjen e vijave të drejta bazë për matjen e gjerësisë së zonës bregdetare nga pika veriore e rajonit të ishujve të Detit Jon deri në kepin Tenaro, në Peloponez.

Ky dekret është akti formal në përfundim të një procesi të filluar disa muaj më parë në Parlamentin grek dhe të diskutuar e të miratuar në Këshillin e Lartë të Shtetit në vendin fqinj. Dekreti nuk ka asnjë element të ri shtesë përtej asaj çfarë është diskutuar e njohur gjatë kohëve të fundit. Madje, në një pikëpamje puqet edhe me mendimet dhe kërkesat që kanë hedhur e bërë disa nga ekspertët tanë për gjiret e mbyllura dhe vijën bazë në përllogaritjen e hapësirave detare të Republikës së Shqipërisë.

Dekreti ka një moment tjetër të rëndësishëm, që nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë dhe as me ishujt e Detit Jon, por që, në fakt, përbën thelbin e nënkuptuar të tij. Është neni 3 i dekretit, sipas të cilit “Republika greke rezervon ushtrimin e të drejtave të saj përkatëse dhe në rajonet e tjera të territoreve të saj”. Pikërisht kjo frazë i ka shqetësuar “patriotët” e Tiranës në këtë rast.

Ose nga mosdija, ose qëllimisht e për të hedhur më tepër benzinë në turrën e druve, ku digjet kurbani i radhës i pseudonacionalizmit, manipulohet dhe keqinterpretohet një ligj ndërkombëtar si Konventa e Detit. Shqipëria e ka nënshkruar dhe ratifikuar këtë Konventë të Montego Bay-it të vitit 1982 dhe si çdo ligj tjetër ndërkombëtar ka të drejtën e saj ta zbatojë, por edhe ta respektojë. Në përputhje me këtë ligj ndërkombëtar në vitin 1990, ajo bëri edhe korrigjimin e kufirit të ujërave të saj territoriale, nga 15 milje të vendosura në vitin 1977, në mënyrë të njëanshme në 12 milje. Po kjo Konventë i ka dhënë të drejtën edhe shtetit grek që të kërkojë e të shtrijë kufirin e ujërave të tij territoriale atje ku është e mundur e brenda kritereve qartësisht të përcaktuara deri në 12 milje. Greqisë i takon kjo e drejtë, aq sa i takon edhe Shqipërisë dhe gjithë vendeve të tjera bregdetare kudo në botë.

Nuk është argument, madje është qesharake pretendimi që del nga goja apo dora e të ashtuquajturve ekspertë qarqesh “patriotike” e rrjetesh sociale se meqë Greqia kufirin e ujërave të saj territoriale e ka pasur 6 milje, tani nuk ka të drejtë të kërkojë ta shtrijë në 12 milje. Koha nuk përcakton të drejtën, nuk e zhbën ligjin. E thënë më drejtë, këtu shtrohet një pyetje fare e thjeshtë: Pse Shqipëria ka të drejtë ta ketë kufirin e ujërave të saj territoriale deri në 12 milje dhe Greqia nuk e ka? Të dyja vendet janë bregdetare, anëtarë të OKB-së, kanë firmosur dhe ratifikuar Konventën e Montego Bey-it. Parimet dhe të drejtat janë të njëjta për të gjithë dhe duhen respektuar si të tilla. Të drejtat e gjithsecilit mbarojnë atje ku fillojnë të drejtat e tjetrit, zbatimi i tyre arrihet atje ku ka mundësi të bëhet, pa cenuar të drejtat dhe interesat kombëtare të të tjerëve. Dekreti presidencial grek është vetëm shprehje e një vullneti për të ushtruar këtë të drejtë dhe asgjë më shumë.

Deri në këto momente, të paktën zyrtarisht dhe faktikisht, Shqipërisë nuk i janë cenuar të drejtat që i takojnë si shtet bregdetar, as kufiri i ujërave të brendshme, as deti territorial, as shelfi kontinental dhe as zona ekonomike ekskluzive. Atëherë, përse gjithë kjo zhurmë e ky debat?

A ka diçka racionale që përligj këtë shqetësim apo është thjesht dalldia politiko-nacionaliste e radhës?

Për mendimin tim, ka disa kategori njerëzish që ushqejnë me ose pa ndërgjegje këtë tifozëri masive me meny të preferuar nacionaliste. E para është ajo e politikanëve, si parti dhe si individë, të cilët nga pozita opozitare e në emër të “interesit kombëtar” godasin qeverinë në një çështje me ndjeshmëri të lartë. Në një deklaratë të Partisë Demokratike të para disa ditëve, ajo i adresonte gjashtë pyetje qeverisë e që kërkonin përgjigje. Përtej interesit politik dhe elektoral që mund të kishin këto pyetje, konstatova me kënaqësi që ato ishin hartuar me përgjegjësi profesionale dhe jashtë retorikës dhe akuzave nacionaliste, një qëndrim korrekt e në logjikën e të bërit opozitë. Ajo çfarë tërhoqi vëmendjen, është se në këtë deklaratë PD pranon “të luftojë me forcën e ligjit, në respektim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese…”, të cilin ajo nuk e ka pranuar për shumë kohë dhe ka akuzuar se ishte marrë në favor të një pale të tretë.

Kategorinë e dytë të njerëzve e përbën fasha e partive apo organizatave që platformat e tyre i kanë të ngritura mbi baza nacionaliste dhe fetare. Në Shqipëri, në Kosovë e në përgjithësi në Ballkan ka ende mjaftë aktorë politikë dhe socialë, por edhe individë me emër të përveçëm që veprojnë e jetojnë me frymën e një nacionalizmi të tejkaluar si mjet gjallese e mbijetese, si instrument për të qenë të pranishëm në jetën publike e për t’u shërbyer palëve të interesuara ose si manifestim i subkoshiencës së tyre, që reflekton urrejtje racore e fetare. Kategoria e tretë është në dukje supernacionaliste, por në thelb thellësisht pragmatiste. Është fjala për rrjetet e panumërta sociale, të cilat, me shkak e pa shkak, gjuajnë e nxisin debate nacionaliste nga më ordineret e deri në ato që quhen çështje të mëdha e ku ngërdheshen të ditur e të paditur e që në fund të historisë vlejnë vetëm klikimet e tyre, që shtojnë fitimet e sipërmarrësve mediatikë on line.

Një kategori e katërt, që përgjithësisht përfaqëson shtresën e mesme qytetare, që gjykon me mendjen e vet e jo çfarë i ofrojnë të tjerët, është bartëse e shqetësimit racional. Pikërisht kjo kategori që artikulohet rrallë, por bindshëm, zhurmohet dhe mbytet nga kori i madh dhe i çakorduar i kategorive të tjera. Këto janë zëra objektive që duhen dëgjuar dhe që mund dhe duhet të inkurajohen për të pasur një opinion publik të ekuilibruar, influencues dhe me autoritet. Edhe në rastin e çështjes së përcaktimit të hapësirave detare me Greqinë këta do të ishin përfaqësuesit që do të dëgjoheshin e duhet të dëgjohen me vëmendje.

Ka një shqetësim serioz që duhet adresuar për të neutralizuar fushatën spekulative të radhës, qoftë nga segmente të veçanta të politikës apo nga zhurmuesit ordinerë të rrjeteve sociale. Dhe këtë mund dhe duhet ta bëjë qeveria. Unë dua të besoj atë pjesë të deklaratës më të fundit të Kryeministrit Rama se dekreti presidencial grek nuk afekton Shqipërinë, se klauzola e 12 miljeve nuk mund të zbatohet në zonën e kontestuar detare midis dy vendeve dhe se nuk ka asnjë marrëveshje midis dy qeverive për këtë çështje, ndaj edhe është dakordësuar për ta çuar mosmarrëveshjen para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë.

Por këtu ka një problem që nuk mund të kapërcehet me një deklaratë apo garanci mediatike të Kryeministrit. Mungojnë dy elementë të rëndësishëm: besueshmëria dhe transparenca, të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën. Që deklaratat dhe qëndrimet zyrtare të bëhen të besueshme duhet të jenë transparente, jo në kuptimin e detajeve të bisedimeve diplomatike apo të darkave konfidenciale, por në përcjelljen e mesazheve publike për thelbin e tyre.

Kryeministri Rama duhet të jetë bashkëpunues me institucionet e tjera shtetërore që e kanë detyrë kushtetuese të merren me politikën e jashtme si Kuvendi, Presidenti etj. Unë jam i sigurt se Komisioni i Politikës së Jashtme i Kuvendit po qe se do të ishte përfshirë në mënyrë aktive në procesin negociator për hapësirat detare me Greqinë, do të kishte dhënë një kontribut të vlefshëm. Marrëdhënia me Presidentin e Republikës të paktën për politikën e jashtme e veçanërisht për çështjen shumë të përfolur të kufijve detarë duhej të ishte thellësisht institucionale, bashkëpunuese dhe jashtë polemikës aspak të dobishme për çështje të politikës së brendshme.

Duhej të kishte një “follow-up” pas vitit 2018 me Presidencën për bisedimet që Kryeministri dhe ministri i Jashtëm njëkohësisht ka zhvilluar me homologun grek apo zyrtarë të tjerë të lartë të këtij vendi për negociatat, por qoftë edhe për marrëveshjen për ta çuar çështjen para Gjykatës në Hagë. Sido që të jenë marrëdhëniet politike e personale midis Presidentit dhe Kryeministrit, ato nuk duhet të reflektohen në punët e shtetit.

Zbatimi i politikës së jashtme të një vendi, që kur është krijuar si institucion, u është besuar ministrive të jashtme dhe kapaciteteve profesionale diplomatike të saj. Për fat të keq, në Shqipëri kjo detyrë e domosdoshmëri në momente të ndryshme gjatë 30 viteve të fundit është nëpërkëmbur dhe e ka kthyer institucionin në një shtojcë për shërbime burokratike diplomatike, konsullore e protokollare në funksion të kryetarit të qeverisë. Nuk është shpikje shqiptare, por përvojë e vjetër dhe e njohur, por në rastin e Shqipërisë nga vëzhgimi i veprimtarisë në politikën e jashtme janë konstatuar dy fenomene: mangësi në përpunimin në kohë të qëndrimeve parimore e funksionale, ndër të tjera, edhe për shkak edhe të pamundësisë fizike të kryetarit të qeverisë për t’u marrë me to.

Ndryshimi i djeshëm në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme është i mirëpritur. Le të shpresojmë se ai është reflektim për të korrigjuar stilin e drejtimit dhe eficiencën e institucionit të pazëvendësueshëm të politikës së jashtme të shtetit.

Është e kuptueshme që Kryeministri Rama, nga pozita e tij jo vetëm si kryetar i qeverisë, por edhe nga ajo e ministrit të Jashtëm, ka qenë në të drejtën e tij të jepte deklarata e të mbante qëndrime për çështje të ndryshme të politikës së jashtme të vendit. Rrjedhimisht edhe për negociatat për delimitimin e ujërave territoriale në Detin Jon me Greqinë. Por gjatë gjithë kësaj kohe u rrudh roli dhe funksioni i Ministrisë për Europën e Punët e Jashtme dhe mungoi iniciativa e saj. Për rrjedhojë, aty nuk pati veç zëra të mefshta për çështjen delikate të detit, ato u huazuan nga institucione të tjera dhe u lanë mënjanë, ose nuk u dëgjuan ekspertë dhe autoritete të njohura në fushën e së drejtës ndërkombëtare të detit.

Ndryshimi i beftë i djeshëm në krye të dikasterit të punëve të jashtme duhet të shoqërohet me një ridimensionim të tij në metodën e në përmbajtjen e punës. Në lidhje me çështjen e negociatave për arritjen e kompromisit, me të cilin duhet që palët të paraqiten në Gjykatën e Hagës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e hapësirave detare në Detin Jon, është koha që të mendohet shumë seriozisht e për të krijuar një grup të ri negociator, gjithëpërfshirës dhe profesionalisht të aftë pa përjashtuar edhe konsulencën ndërkombëtare

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN