MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Cilat janë simptomat e sklerozës së shumëfishtë?

31.12.2020 - 11:25

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Cilat janë simptomat e sklerozës së shumëfishtë?

Mjeku: Këto simptoma shfaqen si pasojë e dëmtimit të mielinës. Ato mund të jenë shqetësuese, por trajtimi i tyre mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të tyre me medikamente, rehabilitim e opsione të tjera. Simptomat më të shpeshta primare janë:

Probleme me fshikzën e urinës dhe aparatin tretës – të cilat mund të shfaqen në formën e urinimit të shpeshtë dhe konstipacionit.

Mungesa e koordinimit dhe ekuilibrit – të cilat mund të vështirësojnë ecjen, qëndrimin në këmbë dhe ndryshimin e pozicionit.

Ndryshime emocionale dhe depresion – është e vështirë të pranosh faktin e të paturit të një sëmundje kronike, për më tepër të një sëmundje të vështirë për t’u parashikuar ecuria. Frika nga e panjohura mund t’ju bëj të jeni anksioz. Për më tepër, sëmundja dëmton fibrat nervore në tru, çfarë mund të ndikojë në gjendjen tuaj emocionale. Po ashtu, në gjendjen tuaj emocionale mund të ndikojnë edhe medikamentet si kortikosteroidet, të cilat përdoren në trajtimin e sklerozës multiple.

Probleme të syve – përveç neuritit optik që shfaqet në sindromin e izoluar klinik, mund të shfaqet po ashtu:

– Nistagmus – lëvizje e pakontrolluar e bulbeve okulare

– Diplopia – shikim i dyfishtë

Lodhje – e cila shfaqet kryesisht në pasdite, shfaqet me dobësi të muskujve, mendim të ngadalësuar dhe përgjumje. Nuk është e lidhur me ngarkesën e ditës. Personat me Sklerozë Multiple ndjejnë lodhje edhe pas pushimit apo gjumit të mirë të natës.

Probleme të lidhura me të nxehtin – këto probleme mund t’i vini re gjatë aktivitetit fizik. Mund të ndiheni të lodhur dhe të kontrolloni me vështirësi pjesë të ndryshme të trupit, si këmbët apo duartë. Pas pushimit, këto simptoma mund të largohen.

Spazma muskulare – zakonisht prekin muskujtë e këmbëve. Janë një simptomë e hershme për pothuajse gjysmën e njerëzve me Sklerozë Multiple. Spazmat mund të jenë ngurtësime të lehta të muskujve por mund të shfaqen edhe si spazma të dhimbshme.

Probleme me të folurën – Skleroza Multiple mund të shkaktojë pauza të gjata ndërmjet fjalëve dhe problem me shqiptimin e fjalëve. Me progresin e sëmundjes mund të shfaqen dhe problem me gëlltitjen.

Probleme me të menduarin – mund të jetë e vështirë për t’u përqëndruar me kohën. Kjo mund të jetë për shkak të mendimit të ngadalësuar, vëmendjes së ulur ose çrregullimit të kujtesës. Disa persona e kanë këtë simptomë aq të rënduar, sa për ta është e pamundur të kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme. Por duhet të kuptojmë se Skleroza Multiple nuk ndikon në inteligjencë dhe aftësinë për të lexuar apo për të kuptuar bisedat.

Dridhje – rreth gjysma e personave me Sklerozë Multiple mund të kenë dridhje. Në disa prej tyre mund të shfaqen të lehta, ndërkohë që në të tjerë mund të jenë shumë të theksuara, deri në pengim të kryerjes së aktiviteteve të përditshme.

Probleme me ecjen – për shkak të dobësisë muskulare ose spazmave muskulare, ecja mund të vështirësohet. Mund të nisin probleme me ekuilibrin, mpirjen e këmbëve dhe lodhjen.

Sensacione të pazakonta – përveç shpimeve dhe mpirjes, ndijesi të tjera, pjesë e sindromit klinik të izoluar, mund të jenë dhe kruarje e dhimbje të llojit djegës dhe shpues. Mund të ndjeni shtrëngim në brinjë ose mbi bark – që njihet si “përqafimi i Sklerozës Multiple”.

Meqenëse paraqitja e Sklerozës Multiple ndryshon nga personi në person, është mirë të mos krahasoni gjendjen tuaj shëndetësore më atë të personave të tjerë me Sklerozë Multiple. Përjetimi juaj i sëmundjes mund të jetë krejt i ndryshëm dhe shumica e njerëzve mësojnë të menaxhojnë simptomat e tyre dhe vazhdojnë të jetojnë jetën e tyre aktive si më parë.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.