MENU
klinika

Bota në vitin 2021

Çfarë duhet të presim në vitin e dytë të pandemisë

02.01.2021 - 10:44

Vaksinat dhe testimet e lira dhe të shpejta duhet të sjellin ndryshim, shkruan The Economist

Për pjesën më të madhe të vitit 2020, retorika publike rreth pandemisë ishte agresive. Politikanët dhe zyrtarët e shëndetësisë flisnin për “goditjen” e koronavirusit dhe “sheshimin” e lakoreve të larta të epidemisë. Por ky grumbull ARN-je, që brenda pak muajsh, ka vrarë me qindra mijëra njerëz, e ka fundosur ekonominë globale dhe ka zhdukur progresin disa vjeçar kundër varfërisë. Megjithëse vaksinat kanë dalë tashmë, arritja e tyre në çdo cep të botës do të mbetet thjesht një aspiratë. Pra, pritet një ton më pajtues me gjendjen pandemike. Në vitin 2021, njerëzimi do të vazhdojë t’i përshtatet jetesës me virusin – në mënyra që e bëjnë bashkëjetesën më pak të kushtueshme.

Elementet bazë do të mbesin të njëjtat. Maskat dhe larja e shpeshtë e duarve do të jenë ende të nevojshme. Njerëzit do të ruajnë distancën në hapësirat publike, madje edhe instiktivisht. Por teksa pandemia hyn në vitin e dytë, përgatituni për ndryshime në tre fusha: testimi, rregullat e karantinës dhe udhëzimet për distancim social.

Testet e lira dhe të shpejta për infeksionin Covid-19 do të përhapen në masë. Ndryshe nga teknologjia PCR e bazuar në laborator, e cila mund të mbledhë edhe gjurmë të imta të materialit gjenetik të virusit, testet më të lira antigjene, kërkojnë pjesë të virusit dhe e dallojnë atë kur është i pranishëm në sasi të mëdha. Edhe disa nga testet më të mira antigjene, nuk arrijnë të dallojnë  rreth një të katërtën e infeksioneve (megjithëse këto mendohet të jenë në një fazë kur njerëzit e infektuar janë më pak ngjitës). Por disa teste antigjene mund të bëhen për 15 minuta me pajisje sa madhësia e dorës, ose me komplete të ngjashme me testet e shtatzënisë në shtëpi, që kushtojnë vetëm 5 dollarë. Me më shumë se 80 prova të tilla të shpejta, saktësia do të bëhet më e mirë, mbledhja e mostrave do të jetë më pas e bezdisshme (për shembull, duke përdorur tamponë të cekët të hundës ose pështymën) dhe çmimet do të ulen deri në $1 për test.

Nga mesi i vitit 2021, testet e shpejta Covid-19 do të zëvendësojnë kontrollin e temperaturës në aeroporte (që gjithsesi është i padobishëm). Punëdhënësit, shkollat dhe vendet e argëtimit do t’i përdorin ato rregullisht për të kontrolluar infeksionet. Disa njerëz madje mund të përfshijnë një test të shpejtë në shtëpi në rutinën e tyre të mëngjesit ose para gjumit. Konfirmimi i rezultateve pozitive mund të kërkojë një test më të saktë PCR; një rezultat negativ nuk mund të jetë garanci se është e sigurt të përqafoni gjyshen. Por shumë infeksione do të zbulohen më shpejt në këtë mënyrë.

Një efekt anësor i testeve të lira që mund të kryhen në shtëpi, është se shumë, madje shumica e të infektuarve, do të qëndrojnë nën radarin e sistemeve zyrtare të testimit dhe gjurmimit. Por në pjesën më të madhe të Evropës dhe Amerikës, besimi në këto sisteme është prishur në mënyrë të pariparueshme. Edhe ashtu siç janë gjërat tani, qeveritë mund të shpresojnë vetëm që njerëzit e infektuar që janë të vetëdijshëm për statusin e tyre, të bëjnë gjënë e duhur – pra të paralajmërojnë kontaktet e tyre të ngushta dhe të qëndrojnë larg të tjerëve aq sa munden. Dhe për njerëzit pa asnjë simptomë, vështrimi i një shiriti testimi që vazhdon të pulsojë “pozitiv” ditë pas dite, mund të ndikojë më shumë për t’u vetë-karantinuar, sesa një mesazh nga një aplikacion gjurmues që u thotë të qëndrojnë në shtëpi.

Kur bëhet fjalë për karantinat, shumë vende ndoshta do të ndjekin shembullin e Francës dhe Suedisë në uljen e kohëzgjatjes së tyre, nga dy javë në një, me shpresën për të rritur pajtueshmërinë me rregullat. Njerëzit do të paralajmërohen se ende mund të paraqesin ndonjë rrezik (megjithëse më të ulët) për të tjerët në javën e dytë – kështu që duhet të shmangin takimet me të afërmit e moshuar gjatë asaj kohe. Zyrtarët që kontrollojnë njerëzit në karantinë do të jenë më të gatshëm t’i lejojnë ata të dalin jashtë për disa aktivitete me rrezik të ulët, si shëtitjet në park herët në mëngjes, kur ka pak njerëz përreth.

Në mënyrë të ngjashme, shumë qeveri do t’u japin qytetarëve të tyre më shumë autonomi në lidhje me shoqërimin. Rregulla të ngatërruara dhe përshkruese se kush mund të takojë kë, dhe ku dhe si, do të eliminohen. Në vend të kësaj, do të ketë parime të thjeshta që njerëzit të ndjekin në çdo mënyrë që të zgjedhin. Për shembull, njerëzit në Japoni, mund të nxiten të shmangin “tre rregullat kyçe”: grumbullimin e njerëzve, mjediset me kontakt të ngushtë dhe hapësirat e mbyllura. Kur bashkohen me miqtë dhe familjen, ata do të këshillohen, si në Kanada, të ndjekin rregullin “më pak persona, grupe më të vogla, kohë më të shkurtër së bashku dhe hapësira më të mëdha”.

E gjithë kjo duhet ta bëjë vitin e dytë të pandemisë disi më të tolerueshëm se të parin. Rrokni gotat për të thënë gëzuar – sigurisht në një grup të vogël.