Po vijnë vaksinat: një, dy, tre, të tjera… . Duken efikase. Por fitorja jonë kundër virusit vrastar varet nga shumë variabla: kohëzgjatja e mbrojtjes, sa njerëz do të duhet të imunizohen, ndryshime të mundshme të virusit. I cili mund të ndryshojë strategji. Si për shembull, të gjejë strehë në një tjetër specie, për t’u rikthyer sërish tek ne. I ndryshuar.
Sigurisht, tani sfida bëhet interesante. Pas pak kohësh do të lëvizim tre ushtarë, që mund ta përmbysin sfidën. Tre vaksina që rendin drejt objektivit final: t’i bëjnë shah-mat virusit.
A do ta zhdukim me goditje shiringash, nga jeta jonë e përditshme? Po, nëse… Nëse vaksinat do të jenë efikase sa premtojnë. Nëse do të arrijnë të parandalojnë përhapjen dhe jo vetëm rëndesën e sëmundjes. Nëse mbrojtja do të jetë kohëgjatë. Nëse do të arrijë të vaksinohet një pjesë e madhe e popullsisë së tokës (për momentin, të vetmit vende pa virus janë Poli i Veriut dhe Poli i Jugut), pa vonesa dhe bllokime.
Në ndërkohë, SARS-COV-2 nuk pushon së bëri autostop nga një individ tek tjetri, duke ndjekur një logjikë të pandryshueshme të çdo forme të gjallë: vetëkopjohet, vetëkopjohet, vetëkopjohet. Ndryshe nga viruset e tjera, që marrin flakë dhe vrasin gjithçkaqë gjejnë përpara e bashkë me ta, edhe veten (si Ebola për shembull), Sars Cov-2 shfaq një “inteligjencë” mbresëlënëse, gjithmonë nga pikëpamja e evoluimit. Brenda pak kohësh kërceu nga një lakuriq nate tek një kafshë e ndërmjetme (ende e panjohur) dhe migroi tek njeriu, duke u akomoduar për mrekulli tek specia jonë.
Prandaj, fitorja nuk është aspak e sigurt. Kur merr fund realisht një pandemi? Nëse përreth vetes virusi do të gjente shumë barrikada (të vaksinuarit), do të zhdukej, apo do të rikthehej tek ndonjë bujtës tjetër natyror, për të shpërthyer sërish?
“Ky është një virus i lindur për të qëndruar brenda nesh. Dhe nuk do të ikë nëse nuk e dëbojmë”, përgjigjet virologu Carlo Federico Perno, drejtor i Mikrobiologjisë dhe Diagnostikës Imunologjike në Spitalin pediatrik Bambino Jesu. “Karakteristikat e tij gjenetike i kërkojnë që të infektojë vazhdimisht njerëz për të mbijetuar. Ka viruse që mund të qëndrojnë të fjetur në organizma për dhjetëra vite, si përshembull herpes zoster që shkakton linë e dhënve. Na infekton që fëmijë dhe zgjohet gjashtëdhjetë vite më vonë, me zjarrin e Shën Antonit. Edhe po të vaksinoheshin të gjithë, do të mbetej brenda nesh. Ndërsa ky koronavirus është i detyruar të infektojë. Nëse nuk vetëkopjohet vdes, ndryshe nga disa viruse të tjerë që mund të bien në gjendje të fjetur pa u vetëkopjuar”.
Vaksinimi në masë do të ishte si t’i hiqje karburantin. “Sigurisht. Edhe për shkak se, për momentin Sars Cov-2 nuk ka një tjetër rezervuar ku të gjejë strehë përveç njeriut, ndryshe nga viruset gripalë që jetojnë në kafshë dhe gjatë rrugëtimit të tyre, rastësisht ndeshin njeriun. Dhe kjo ka rëndësi themelore”, shpjegon Perno. “Koronavirusi ka lindur tek kafshët dhe më pas ka pësuar mutacion për t’u përshtatur me njeriun. Dhe tani tek kafshët nuk është më”.
Dhe për sa kohë që gjenomi i tij bazë mbetet i qëndrueshëm, një imunizim në masë do të kishte avantazh mbi strategjitë e tij mikrobike.
Kundër “kushëririt” të tij më të afërt, Sars-it të 17 viteve më parë, nuk pati nevojë për vaksinë: Sars Cov-1 u zhduk pasi shkaktoi vetëm 800 viktima. Një diletant, në krahasim me këtë të sotmin. E ndali vdekshmëria e lartë (afro 10%, i vdiste shumë bujtësit para se të vetëkopjohej) dhe shpejtësia e ulët e transmetimit: infektonte kur shfaqeshin simptomat dhe vatrat mund të kontrolloheshin. Me ezaurimin e “basenit të përdoruesve” dhe pa një vendstrehim në organizma kafshësh, do të zhdukej.
Ikën pa shkaktuar shumë dëme, edhe Gripi i Shpendëve, që në vitin 1997 “doli” nga zogjtë dhe kaloi tek njeriu dhe ai i derrit, në vitin 2009 që infektoi jo pak njerëz. Por asnjë prej atyre viruseve nuk arriti të vendosej në mënyrë të qëndrueshme tek qeniet njerëzore. “Për t’u përshtatur tek njeriu, viruse si ata kanë vështirësi të mëdha, si të ngresh një peshë dy kuintalë. E mbajnë lart dy minuta dhe pastaj e lëshojnë”, shpjegon Perno. “Ndërsa ky koronavirus, nuk dihet se si, përshtatet tek ne me një lehtësi të jashtëzakonshme”.
E vetmja lëvizje e duhur do të ishte t’i hiqje ushqimin (domethënë ne). Por kujdes, paralajmërojnë në Plos Biology, David A. Kennedy dhe Andreë F. Read, nga Universiteti i Pennsylvanias: ndërkohë që krijojmë vaksina, virusi nuk pushon së pësuari mutacione. Për momentin e bën me një farë ngathtësie, por nuk i duhet besuar. Për shembull, kohët e fundit është zbuluar se në fazat e para të pandemisë, një mutacion mori revanshin duke e bërë më të transmetueshëm. Praktikisht, ndezi “turbon” e virusit. Dhe në ditët e fundit, ekspertët anglezë kanë ngritur pyetjen nëse shtimi i dukshëm i infeksioneve është pasojë e një tjetër mutacioni.
Në ndërkohë, një studim italian në Molecular Ecology, duke analizuar 15 sekuenca virale ka hedhur dritë mbi mekanizmat, me të cilët virusi vepron për të shmangur antitrupat. Konkluzioni është se virusi mundet edhe të arrijë të bëhet rezistent ndaj vaksinës. Ndodh rrallë që viruset ta bëjnë, por fenomeni ekziston.
Duke eksplzuar botën e të padukshmes, për të kuptuar kur dhe si përfundon një epidemi, në librin e jashtëzakonshëm “Spillover” të David Quammen, lexojmë se përveç të tmerrshmit Grip Spanjoll (50 milion viktima), “gripi i vitit 1957 shkaktoi afro 2 milion viktima dhe në vitin 1968, i ashtuquajturi Grip i Hong Kongut shkaktoi një milionë”. Pak a shumë sa Covid-19, që deri tani ka shkaktuar 1 milion e 700 mijë viktima.
Megjithatë në ata dy raste, askush nuk mendoi për izolim apo sisteme frenimi. Si ka mundësi?
“Ishin dy epidemi shumë të rënda, kjo është e vërtetë”, reflekton Guido Alfani, historian, profesor i historisë ekonomike në Universitetin Bocconi. “Nuk u ndërhy si sot, në thelb për dy arsye. Nuk e përballonim dot: dhe mbi të gjitha, dilnim nga një luftë botërore dhe kishim një tjetër raport me vdekjen. Ishim të gatshëm të pranonim një çmim, që sot refuzojmë ta paguajmë, dyfishimin e vdekjeve mes të moshuarve. Në llogaritjen e dëmit të pranueshëm, sot diçka ka ndryshuar”.
Jo vetëm kaq. Masat e frenimit, vazhdon eksperti, kanë kuptim sepse lejojnë që të fitosh kohë në pritje të një vaksine. Një hipotezë e pamundur në atë kohë, dhe një izolim nuk do të kishte shërbyer.
Ai lloj fatalizmi duket tashmë vite drite larg. Ideja e një imuniteti tufe “natyral”, që iu sugjerua në fillim të pandemisë kryeministrit britanik Boris Johnson, u hodh poshtë menjëherë. “Dhe pastaj të mos harrojmë se ato dy epidemi, shkaktuan 1-2 milion viktima, pa ndërhyrje”, saktëson Alfani. “Ky koronavirus po vret të njëjtin numër njerëzish, dhe do ta kalojë, pavarësisht përpjekjeve për ta frenuar”.
Duke u kthyer në kohën tonë, 2021 duhet të jetë viti kur miliona doza vaksine do të stërvisin sistemet tona imunitare për t’i bërë ballë armikut. A do të jetë viti kur do ta heqim qafe, siç guxon të thotë dikush? “Më duken pak si përrallore këto aftësi pothuaj hyjnore”, kundërshton Perno. “Ka shumë të panjohura… Ende nuk dijmë me saktësi se cili do të jetë efikasiteti përfundimtar i vaksinave. Dy produkte nga tre, kanë problemin e zinxhirit ftohës. Nuk dimë nëse do arrijmë t’i shpërndajmë kudo. Dhe gjithashtu nuk dijmë sa do të zgjasë mbrojtja vaksinale”.
Objektivi është që të vaksinohet 70 përqind e popullatës. Por nuk është e thënë që të gjithë të ofrojnë krahun. Mes kundërshtimeve ideologjike të no vax, frikërave pa themel dhe dyshimeve të kuptueshme, baseni i të vaksinuarve mund të ndalet tek 50%. Dhe Covid do të vazhdonte karuselin e lig rrotull nesh.