Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se Shqipëria duhet të mbyllë të gjithë institucionet, të cilat kanë lidhje me organizatën e FETO-s.
Teksa ka folur para mediave pas takimit me Bushatin, zyrtari turk i bëri thirrje strukturave shtetërore shqiptare të largojnë nga çdo institucion anëtarët e kësaj organizate, pasi sipas tij, ajo përbën rrezikshmëri të lartë edhe për Shqipërinë.
“Falë guximit dhe urtësisë së presidentit të Turqisë u bllokua grushti i shtetit. Sikur të kishte fituar ai grusht, e dini se çfarë mund të ndodhte. Ata kanë përdor shumë mirë sistemin arsimor dhe kanë hyrë në institucione. Sigurisht kjo është organizatë e rrezikshme, e dimë se këtu kemi anëtarë të FETO. Në dëshirojmë dhe presim të mbyllen institucione anti-turke në Shqipëri. Kjo organizatë është një kërcënim tepër serioz edhe për Shqipërinë dhe ata mund të bëjnë çdo gjë. Ti harrojmë 251 dëshmorë. Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që vjen nga Shqipëria, këtë presim edhe nga ju”, tha ai.
I pyetur se çfarë masash ka marrë shteti shqiptar, Bushati tha se Shqipëria është solidarizuar me ngjarjet e ndodhura në Turqi, por se është anëtare e NATO-s dhe kandidate për BE dhe ndjek disa rregulla ndërkombëtare.
“Përgjigjja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë qoftë në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë ndër vendet që është solidarizuar me ato që kanë ndodhur në Turqi, por nga ana tjetër është anëtar i NATO-s dhe kandidate e BE dhe aderon në disa organizma me rregulla të përcaktuar për ekstradime ndaj çdo rrugë ndiqet në rrugë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi”, deklaroi Bushati.
Ndërkohë Bushati u pyet nëse inaugurimi i Xhamisë së Madhe po shtyhet për shkak të përfshirjes së Turqisë. Edhe këtu Bushati ka mbajtur qëndrim të prerë.
“Është absurde që shteti shqiptar të përfshihet në çështjet fetare e jo më një vend mik si Turqia”, tha Bushati.
Me gjithë kontradiktat për këtë çështje delikate, të dy ministrat kanë rënë dakord për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve në shumë fusha ekonomike e sociale të vendit.
“Sot trajtuam në të gjitha dimensionet marrëdhëniet tona dypalëshe. Tregtia mes nesh po rritet. Investimet turke dhe numri i firmave që veprojnë në Shqipëri. Janë rreth 3 mld dollarë investime turke në Shqipëri. Unë pata një takim dhe me dhomën e tregtisë Turqi-Shqipëri dhe ata ishin të kënaqur që ishin në Shqipëri.
Duhet t’i kushtojmë vëmendje sektorëve të industrisë dhe energjisë ose ndërtimit të aeroporteve. Ne do t’i inkurajojmë zhvillime të tilla. Gjithashtu dhe në sektorin e shëndetësisë firmat turke kanë bërë investime të mëdha”, deklaroi ministri i Jashtëm i Turqisë.