MENU
klinika

Raportohet për 4 të infektuar që kanë mbërritur nga Britania

Varianti i ri i koronavirusit i afrohet Shqipërisë

04.01.2021 - 11:33

Variant i ri koronavirusit i afrohet tanimë Shqipërisë, pasi raportohet se 4 pasagjerë që mbërritën në Greqi nga Britania e Madhe rezultuan pozitiv me mutacionin e ri.

Mediat helene shkruajnë se 4 personat në fjalë ishin mes 6 udhëtarëve që mbërritën në Greqi gjatë Krishtlindjeve.

Pas testimit dhe analizës molekulare u konstatua se 4 persona mbartnin mutacionin e ri të Covid-19, që siç dihet ka një përhapje 70 për qind më të shpejtë.

“Testi special dhe analiza molekulare që zgjatën për tre ditë, treguan se 4 prej tyre mbartin mutacionin e ri të virusit”, raporton televizioni Skai.

Mësohet se 6 personat po mbahen në karantinë në hotel për 10 ditë dhe pas këtij afati do t’i nënshtrohen një testi të dytë.

“Të gjithë pasagjerët që kanë mbërritur në Greqi nga i njëjti avion po mbahen në mbikëqyrje epidemiologjike dhe nuk ka asnjë zhvillim shqetësues për momentin”, raporton televizioni në fjalë.

Studentë të shumtë grekë janë kthyer së fundmi nga Britania e Madhe në vendin e tyre me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Masat e rrepta të kufizimeve kanë dhënë efekt në Greqi, ku të dielën u regjistruan 390 infeksione, ndërsa të shtunën vetëm 262 raste.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN