MENU
klinika

“Qytetarët, të mbrojtur nga riinfektimi për 6 muaj”

Mjeku Alimehmeti: U infektuan më shumë mjekë prej mungesës së…

07.01.2021 - 09:16

Për të paktën 6 muaj, personat që e kanë kaluar COVID-19 janë të mbrojtur përballë rrezikut të riinfektimit. Në këtë përfundim ka dalë një studim i kryer nga Universiteti i Oksfordit, botuar në prestigjiozen “New England Journal of Medicine” (NEJM) në fund të vitit që shkoi.

Të dhënat janë publikuar një ditë më parë nga mjeku epidemiolog Ilir Alimemehti. Një tjetër pikë me rëndësi e studimit është edhe ekspozimi i personelit shëndetësor ndaj koronavirusit.

“Bie direkt në sy se sa e vogël (1.96 %) është përqindja e infektimit në periudhën pas marsit 2020, që tregon se mbrojtja e personelit shëndetësor ka qenë shumë e përshtatshme në Britaninë e Madhe”, shkruan doktori. Por, në vendin tonë, shton më tej ai, “të infektuarit në radhët e bluzave të bardha, në të njëjtën periudhë kanë qenë shumë më shumë, duke dëshmuar qartë mungesën e masave mbrojtëse të përshtatshme, përfshirë edhe mungesën e testimit sistematik të personelit shëndetësor”

DR. ILIR ALIMEHMETI

Askush nuk dëshiron të infektohet nga SARS-CoV-2, megjithatë shumë prej nesh tashmë e kanë kaluar në mënyrë natyrore sëmundjen. Duke qenë se personeli shëndetësor është profesionalisht i ekspozuar ndaj infektimit, pyetjet e natyrshme në këtë moment janë: “Nëse kryhen mbrojtje të përshtatshme, sa është mundësia e infektimit të personelit shëndetësor?”, dhe ”Sa është mundësia e riinfektimit të personelit shëndetësor?”. Për t’iu përgjigjur, duhet të bazohemi gjithmonë mbi evidencat dhe studimet e kryera dhe jo mbi mendimet dhe opinionet personale apo të ekspertëve. Të dhëna shumë inkurajuese u publikuan nga Universiteti i Oksfordit (Britani e Madhe) më 23 dhjetor 2020 në prestigjiozen “New England Journal of Medicine” (NEJM). Të fokusuar mbi personelin shëndetësor, në periudhën mars-nëntor 2020, autorët kanë studiuar:

12.541 individë (sa për krahasim, Shqipëria ka më pak se 4.500 mjekë në total);

11.364 prej tyre nuk e kanë kaluar sëmundjen në të gjithë periudhën;

1.265 (10.1%) ishin pozitivë që në mars, kur filloi studimi. Gjatë periudhës së studimit u vrojtua se në grupin e personelit shëndetësor të painfektuar:

223 (1.96%) u infektuan gjatë periudhës së studimit, nga të cilët 100 individë (100 /

223 = 44.8%) ishin asimptomatikë (pra, jo të sëmurë) dhe u zbuluan gjatë testimeve rutinë, dhe 123 individë (123 / 223 = 55.2%) ishin simptomatikë.

KOMENT 1: Bie direkt në sy se sa e vogël (1.96%) është përqindja e infektimit në periudhën pas marsit 2020, që tregon se mbrojtja e personelit shëndetësor ka qenë shumë e përshtatshme në Britaninë e Madhe. Fatkeqësisht, në Shqipëri të infektuarit ndër personelin shëndetësor në të njëjtën periudhë kanë qenë shumë më shumë, duke dëshmuar qartë mungesën e masave mbrojtëse të përshtatshme, përfshirë edhe mungesën e testimit sistematik të personelit shëndetësor.

KOMENT 2: Nëse nuk do të bëheshin testimet rutinë, 44.8% e personelit shëndetësor të infektuar do të vazhdonte të punonte nëpër spitale me riskun e infektimit të personave të tjerë, pacientë dhe kolegë. Ja pse është e rëndësishme të testosh në mënyrë sistematike të gjithë personelin shëndetësor … kudo … kurdo. Pasi studiuan mundësinë e reinfektimit te 1.265 vetë që e kishin kaluar sëmundjen që përpara marsit, autorët gjetën se: 2 (2 / 1.265 = 0.16%) persona të vetëm rezultuan me PCR pozitive, dhe të dy ishin krejtësisht asimptomatikë. Si rrjedhojë, autorët dolën në konkluzionin se: Infeksioni i mëparshëm nga SARS-COV-2 shoqërohet me mbrojtje nga riinfekimi për të paktën 6 muaj.

KUJDES 1: Duke qenë se studimi ka zgjatur 6 muaj, kuptohet që autorët shprehen vetëm për këtë periudhë. Kjo nuk do të thotë se kjo periudhë detyrimisht nuk është më e gjatë, por mbetet për t’u verifikuar saktësisht në studime më afatgjata.

KUJDES 2: Për shkak të karakteristikave të popullatës së studiuar, pra, personel shëndetësor aktiv: Ky studim ka vlerë përgjithësuese për popullatat kryesisht me moshë <65 vjeç dhe pa sëmundje shoqëruese. Vlerësimi i mbrojtjes pas infeksionit në popullata të tjera (fëmijë, të moshuar, persona me sëmundje) duhet studiuar në studime me popullatat përkatëse.

Pra, miqtë e mi, mesazhet janë: Mbrohuni dhe mos u infektoni në radhë të parë, por nëse e kaloni infeksionin natyror, imuniteti juaj zgjat goxha, gjashtë e muaj e lart të paktën. Me shumë gjasë, studimet e sivjetshme do të ofrojnë periudha edhe më të gjata!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Alimehmeti zbulon mutacionet e tjera që ka pësuar COVID-19

“Djalli ndodhet në detaje, por po aty ndodhet edhe shpëtimi”