MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Çfarë e shkakton mykun tek këmbët?

07.01.2021 - 10:03

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Çfarë e shkakton mykun tek këmbët?

Mjeku: Myku i këmbëve zakonisht hyn te sëmundjet sezonale të pranverës dhe aq më tepër të verës, pasi lidhet direkt me shtimin e djersës. Ndodh zakonisht te personat që ecin shumë, që rrinë në këmbë shumë, mbajnë çizme dhe këpucë për një pjesë të madhe të ditës. Kjo sëmundje zakonisht njihet edhe si sëmundja e ushtarakëve, policëve.

Myku fillimisht shfaqet midis gishtave të këmbës. Shenjat e mykut janë vendosja e një cipe të bardhë, skuqja e hapësirave midis gishtërinjve dhe pastaj të çarat në këmbë. Njerëzit si rezultat i kësaj patologjie fillojnë edhe ankohen për dhimbje dhe djegie. Kjo është faza e parë e zhvillimit të sëmundjes.

Nëse myku, kërpudha kanë hyrë në organizëm, fillojnë edhe shfaqen probleme dhe shenja të alergjizimit. Kur myku ka hyrë në organizëm problemet me të fillojnë të shfaqen edhe te duart. Në mjekët ndjekim në këtë rast parimin “Kur një pacient ankohet nga duart, pyete për këmbët”.

Myku transmetohet nga një person te tjetri. Kjo ndodh pasi ne në shtëpi na ndodh që të ngatërrojmë edhe pantoflat e njëri – tjetrit. Prandaj te “gabi” çdo gjë mund të blihet, por këpucët nuk blihen. Kjo sepse çdo gjë tjetër mund të dezinfektohet, këpucët jo, pasi nuk ke si ta dezinfektosh. Përveç kësaj, këpuca e re pasi e përdor merr formën e këmbës .

Për profilaksinë e mykut, që sëmundja të mos shkojë në ekstremet e saj, ajo që duhet të bëhet për parandalimin e mykut është higjiena në radhë të parë, çdo njeri duhet të lajë këmbët . Në rast se do shikojmë shenja të djersës mund të përdori solucionone kundër djersës. Për këtë janë të këshillueshme solucioni i kastelanit dhe i betadinës.

Mjekohet me medikament që janë kundër alergjisë dhe pastaj bëhen banjo të këmbëve me permaganat. Më pas fshihet këmba me një peshqir, lyhet me një solucion, betadinën ose kastelanin dhe mbasi thahet lyhet me një pomadë kundër mykut .

Për personat që u djersiten këmbët, sidomos për ushtarakët e mira është të përdorin pudër antimykotike.

Këpucët më të këshillueshme janë sandalet, këpucët me vrima dhe përdorimi i çorapeve të pambukut. Sintetiket janë armiku i lëkurës, pasi duke mos u ajrosur lëkura, krijohet hiperdjersitje.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.