Dhjetëra hektarë tokë raportohet se janë përmbytur në Fushë Krujë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dy ditët e fundit. Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke sjellë përmbytje, por për fat të mirë deri tani nuk raportohet për banesa që rrezikohen nga përmbytja.
Një ditë më parë, Instituti i Gjeoshkencës raportoi për reshje të dendura shiu deri në datën 11 janar, ku paralajmëroi edhe përmbytje.
“Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave (6 -11 Janar 2021) priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Përmbytje mund të shkaktohen nga lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës me prurjet maksimale të cilat parashikohen të arrijnë zonat e rrezikuara në datën 12 Janar 2021. Lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen dhe Shkumbin do i arrijnë prurjet maksimale në fundin e datës 8 dhe 9 Janar 2021. Lumenjtë Seman dhe Vjosa parashikohen të rrezikshëm por me probleme më të vogla lokale të përmbytjeve”, u tha në njoftimin e IGJEUM nje dite me pare.