Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se është ndier e acaruar dhe e trishtuar kur ka parë skenat e dhunshme në Kongresin amerikan, sipas The Guardian.
Merkel thotë se në demokraci ka fitues dhe humbës, teksa ka shprehur keqardhje që “Trump nuk e ka pranuar akoma humbjen”.
“Imazhet më acaruan dhe trishtuan. Në demokraci ka fitues dhe humbës. Me vjen shumë keq që Trump ende nuk e ka pranuar humbjen. Ndjekja e dyshimit për rezultatin i bëri të mundura trazirat natën e kaluar. Rikthimi i Kongresit në punë është një shenjë shprese. Certifikimi do të thotë që SH.B.A. mund të hapë një kapitull të ri të demokracisë së saj brenda 2 javësh”, tha Merkel.
Një ditë e dhunës dhe e kaosit në Kongresin amerikan e la Amerikën të lëkundur, ndërsa politikanët në të gjithë botën të tronditur dhe të shqetësuar.
Në një skenë të paparë në historinë moderne të SHBA-së, mbështetës të presidentit në largim, Donald Trump, sulmuan dhunshëm ndërtesën e Kongresit, në përpjekje për të zhbërë fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Seanca për konfirmimin e Bidenit u ndërpre dhe ligjvënësit u evakuuan.
Garda Kombëtare u mobilizua për t’iu ofruar mbështetje zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit.
Kur ligjvënësit iu rikthyen seancës, qindra mbështetës të Trumpit ishin ende në rrugët e Uashingtonit, përkundër pranisë së madhe të policisë dhe shtetrrethimit të shpallur nga ora 6 e pasdites.