Përfundimi i koncesionit për kontrollin teknik të automjeteve i hap rrugën kryerjes së këtij shërbimi pranë qendrave private, që do të licencohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo pasi ofrimi i këtij shërbimi është liberalizuar, përmes një vendimi qeverie të miratuar në mars të vitit që lamë pas, i cili detajon dhe kriteret që duhet të plotësojnë subjektet e interesuar për t’u certifikuar në kryerjen e kolaudimit për automjetet.
Më konkretisht, këto subjekte duhet të kenë përvojë të suksesshme mbi 3 vjet në realizimin e shërbimeve në fushën e mjeteve me motor, të rimorkiove dhe sistemeve të tyre, të kenë personel drejtues/menaxhues teknik me përvojë pune më shumë se 5 vjet në realizimin e këtyre shërbimeve, të kenë staf të mjaftueshëm profesional teknik, i cili të ketë përvojë pune më shumë se 3 vjet në këtë fushë, si dhe të sigurojnë të gjitha lejet dhe licencat e nevojshme për kryerjen e shërbimit të kontrollit dhe të verifikimit.
Licenca me të cilën do të pajisen këto subjekte përfshihet në kategorinë VII.3 e më konkretisht: Shërbime ekspertize apo profesionale të lidhura me transportin rrugor. Sipas vendimit të qeverisë, Qendrat e Kontrollit dhe Verifikimit duhet të sigurojnë kushte të mjaftueshme materiale-teknike dhe kapacitete operacionale, që të garantojnë funksionimin e përshtatshëm në ushtrimin e këtij shërbimi, të kenë pajisje kompjuterike së bashku me software-ët aplikativë nga fusha përkatëse e homologimit të mjeteve rrugore për verifikimin e karakteristikave të mjeteve rrugore dhe verifikimin e kërkesave e parametrave teknikë të këtyre mjeteve; të kenë certifikatën për menaxhimin e cilësisë ISO 9001, SSH ISO 9001 ose SSH EN ISO 9001 dhe të sigurojnë zbatimin e legjislacionit të fushës për mbrojtjen e të dhënave personale.
Gjithashtu, këto qendra duhet të kenë një sistem unik dhe uniform të ofrimit të shërbimit të kontrollit dhe të verifikimit të mjeteve rrugore në të gjitha qendrat e kontrollit dhe verifikimit, të kenë kapacitetet e nevojshme për monitorimin e shërbimit në kohë reale, përmes sistemeve të teknologjisë së informacionit, si dhe të kenë nën vëzhgim me sistemin elektronik të kamerave mjediset ku kryhet shërbimi i kontrollit dhe i verifikimit të mjeteve rrugore. Sipas vendimit të qeverisë, këto subjekte duhet të sigurojnë vazhdimisht paanshmëri profesionale në marrëdhëniet me grupet e interesit.(scan)