MENU
klinika

Raporti i BB

20% e firmave kanë nisur apo rritur biznesin online

11.01.2021 - 09:27

Karantina nxiti e-commerce globalisht dhe ashtu si kudo në Shqipëri bizneset u përpoqën që të përshtateshin me kushtet që kishin drejt një tregtie online edhe pse të cunguar.

Ajo nuk kishte formën origjinale të konceptit që përfaqëson e-commerce por në finale qëllimi u arrit dhe biznesi mbajti lidhjen me konsumatorin. Kjo valë përfshiu nga rrjetet e supermarketeve tek ato të pajisjeve sportive apo të rrobave. Banka Botërore publikoi së fundmi raportin “Diagnostikimi i E-commerce në Shqipëri” dhe sjell një panoramë të plotë mbi gjendjen aktuale të biznesit online dhe nevojën që ka ai për t’u nxitur.

“Në 2020, kriza e COVID-19 ka çuar në një nxitje të madhe drejt dixhitalizimit të ekonomisë shqiptare. Një anketë e Bankës Botërore me Sipërmarrjet për vitin 2020 tregon se 20 për qind e firmave shqiptare të anketuara ose kanë nisur ose kanë rritur aktivitetin e biznesit online gjatë pandemisë së COVID-19. Në një anketë me konsumatorët Banka Botërore tregoi se 55 për qind e të aknketuarve ishin përgjigjur se kishin rritur përdorimin e shoppin-ut online që nga nisja e pandemisë” vlerëson Banka.

Sipas këtij institucioni ka nevojë për veprim konkret për të mbështetur e-sipërmarrësit dhe kjo duhet të shtrihet në disa dimensione. Dokumenti nënvizon se sipërmarrësit online të Shqipërisë tashmë tregojnë shenja dinamizmi dhe qeveria mund të luajë një rol kryesor në mundësimin dhe lejimin e këtyre bizneseve në potencialin e plotë.

Referuar raportit veprimet kryesore të rekomanduara që dalin nga ky diagnostikim përfshijnë së pari forcimin e besimit tek kompanitë e tregtisë elektronike në Shqipëri.

“Kjo kërkon futjen e një kodi industrial që udhëheq këtë lloj tregtie dhe që bizneset që janë pjesë e saj të mund ta shfaqin në dyqanet e tyre duke dhënë kështu edhe besueshmëri. Një fushatë informimi për formalizmin e shitësve online dhe që web-dyqanet e tyre përmbushin kërkesat ligjore. Po kështu zbatimi i një kornize për mbrojtjen e konsumatorit, e përshtatshme për epokën dixhitale, përfshirë përmes një mekanizmi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në internet dhe një fushate informimi kushtuar pazarit online. Mund të prezantohet edhe një shërbim i thjeshtuar i kthimit të pakove të tregtisë elektronike që dyqanet në internet mund t’u ofrojnë klientëve të tyre në rast se produktet nuk përmbushin pritshëmritë” thuhet në dokument.

Së dyti raporti sjell në vëmendje se duhet të bëhet krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për biznesin në ekonominë dixhitale. Kjo lidhet së pari me legjislacionin tatimor dhe zbatimin e tij sa i takon procedurave duke qartësuar trajtimin e shitësve në internet dhe tregjeve online, si në transaksione të brendshme dhe ndërkombëtare. Po kështu mjedisi rregullator duhet të bëhet më i favorshëm për inovacionin dhe pagesat në internet, përfshirë përmes zbatimit të plotë të ligjit të ri të shërbimit të pagesave dhe përdorimit të modeleve të reja të biznesit.

Një tjetër element që rekomandon BB përfshin përforcimin e programeve që synojnë mbështetjen për e-sipërmarrësit: Kjo përfshin krijimin e programeve të dedikuar për financimin dhe trajnimin e bizneseve aspirante elektronike si dhe aktivitete të rregullta në terren si konkurset e biznesit që nënvizojnë suksesin e tregtisë elektronike.

E-commerce kërkon edhe masa të tjera që lidhen me zgjerimin e aksesit në internetin me bazë të gjerë. Kjo mund të ndihmohet sipas raportit dhe nga fakti që Operatori i Sistemit të Transmetimit tashmë mbulon një pjesë të mirë të vendit me fibër optike.

Banka Botërore nënvizon se zgjerimi i askesit në pagesat online duhet të shihet me prioritet dhe kjo lidhet me finalizmin e roll-out, një kuadër për llogarinë bazike të pagesave që ofron disa parametra për aksesin dhe tarifat dhe transparencën.

Nxitja e pjesëmarrjes së shqiptarëve në mundësinë e biznesit online është një tjetër aspekt që sillet si rekomandim nga Banka. Sigurisht në të pranohet që tranzicioni i kulturës së blerjes në vend dhe asaj online do kohë që të vijë por ajo duhet të nxitet që të rritet në mënyrë graduale.

Thjeshtimi i procedurave të taksave ndërkufitare në veçanti për dorëzimet e vogla si dhe harmonizimi i kuadrit rregullator rajonal nënvizohen nga Banka si element kyçë që duhet të kihen parasysh ndërkohë që edhe inkurajimi i Investimeve të Huaja Direkte që mund të jenë katalizatorë për ekosistemin e e-commerce në Shqipëri./N.Maho-Monitor