MENU
klinika

Covid-19/ Akademia e Shkencave: Seroprevalenca në Tiranë…

“Numri i të infektuarve mund të jetë deri 10-15 herë më i lartë”

12.01.2021 - 15:10

Akademia e Shkencave e Shqipërisë çmon vlerësimet dhe mirëpritjen e rezultateve të studimit të saj dhe u përgjigjet disa pikëpyetjeve të ngritura rreth besueshmërisë së rezultateve të këtij studimi.

Duke u shprehur vlerësimet e saj ekspertëve imunologë dhe epidemiologë, mjekëve të vijës së parë të luftës kundër pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, intelektualëve dhe gazetarëve, që kanë çmuar vlefshmërinë dhe besueshmërinë e rezultateve të studimit të Akademisë së Shkencave për seroprevalencën e Sars-Cov-2 në popullatën e Tiranës dhe të Shqipërisë, i përgjigjemi në vijim edhe ndonjë interpretimi skeptik të shfaqur ditët e fundme.

Studimi mbi seroprevalencën e virusit Sars-Cov-2 në popullatën shqiptare të qytetit të Tiranës, realizuar nga ekspertë të Akademisë së Shkencave, është kryer për të njohur realitetin dhe për të ndihmuar në parashikimin e pritshmërive të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, jo për të krijuar gjendje të caktuara iluzive, qofshin euforike, qofshin në anën e kundërt.

Studimi është kryer me të njëjtat procedura kërkimore me të cilat është bërë hulumtimi epidemiologjik i shkallës së prekjes së popullatës nga Covid-19 në një shumicë vendesh të Europës dhe të Botës.

Të dhënat që kanë rezultuar në mbyllje të fazës së dytë të këtij studimi, i cili u përfundua në muajin dhjetor të vitit të kaluar, janë me të njëjtën shkallë besueshmërie si në të gjitha rastet që është zbatuar e njëjta metodë testimi në vendet europiane dhe në vende të tjera.

Studimi nuk ka karakter diagnostikues, por verifikues për situatën reale të shtrirjes së infeksionit nga Covid-19, duke iu referuar pranisë së antitrupave anti-Sars-Cov-2 në popullatën e kryeqytetit.

Niveli i teknologjisë së testimeve imunologjike të përdorur në këtë studim është i njëjtë si në shumicën e vëndeve të Europës apo SHBA.

Duke iu referuar raporteve të pranuar botërisht, numri i të infektuarve reale me virusin Sars-Cov-2 mund të jetë deri 10-15 herë më i lartë se numri i të sëmurëve me Covid-19 evidencuar nga shërbimi shëndetësor, raport i cili ndryshon në vartësi të shtrirjes së testimeve depstiuese serologjike. Kështu, në provincën e Bergamo-s (Itali), ku u përdor e njëjta metodë depistimi, dhe seropozitiviteti, në tetorin e vjetshëm, u konstatua në 42 për qind të popullatës, raporti midis të sëmurëve të evidencuar dhe individëve të infektuar që u vërtetuan me anë të seroprevalencës ishte të paktën një me 15.

Ky raport është pohuar edhe nga operatorë të shërbimit tonë shëndetësor, që kanë njoftuar përmes medias se, megjithëse numri i individëve të diagnostikuar me Covid-19 në vendin tonë ishte rreth 60.000 në fund të vitit 2020, numri real i individëve të infektuar në vend duhet të jetë afër 600.000.

Duke qenë se në Tiranë është diagnostikuar rreth një e dyta e numrit të individëve të diagnostikuar me Covid-19 në gjithë vendin, kjo e dhënë përkon edhe me seroprevalencën 49.6 për qind të infeksionit Covid-19 në qytetin e Tiranës konfirmuar në fund të vitit 2020 me studimin nga ekspertët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Studime të tilla nuk bëhen për të krijuar imazhe iluzive mbi realitetin, as për të krijuar situata euforike, por për të njohur gjendjen e vërtetë të përhapjes së pandemisë me të njëjtën shkallë besueshmërie si edhe në raste analoge në vende të tjera, pranë dhe larg nesh.

Studimet e kryera nga ekspertë të Akademisë së Shkencave kalojnë nëpër të njëjtat faza si të gjitha studimet që janë duke u zbatuar gjerësisht në botë në kushtet e pandemisë: 1. Publikimi i të dhënave paraprake apo operative; 2. Përgatitja e raportit shkencor dhe publikimi i tij në “pre-print”; 3. Publikimi përfundimtar i raportit shkencor të rishikuar nga kolegë ekspertë, një proces që kërkon shumë muaj. Në komunikimet e deritashme janë ofruar aq të dhëna sa janë të nevojshme për të kuptuar gjendjen nga opinionet publike. Të dhëna të tjera janë të mundshme të këshillohen nga specialistë ose operatorë të administratës së shërbimit shëndetësor edhe para përfundimit të fazës së tretë, të nxjerrjes së konkluzioneve të studimit.

Sa u takon numrit të të testuarve, ai lejon arritjen e përfundimeve shkencore brenda një intervali besueshmërie sipas kritereve të mirënjohura statistikore dhe sipas logjikës së shifrave, referuar numrit të popullsisë në Tiranë dhe në shkallë vendi. Studimi i seroprevalencës së antitrupave specifikë kundër Sars-Cov-2 në Tiranë, faza e parë e të cilit është kryer në fund të qershorit dhe faza e dytë në fund të dhjetorit 2020, sjell informacion të vlefshëm dhe pothuaj unik mbi përmasat e ekspozimit të një pjese të popullatës me virusin Sars-Cov-2 si dhe mbi ritmet e rritjes së këtij ekspozimi në kohë.

Faktet e përftuara përmes këtij studimi, nëse do të interpretohen me kujdes, duke u analizuar në raport edhe me fakte të tjera shkencore, përmirësojnë monitorimin e situatës dhe në përgjithësi njohurinë që kemi mbi zhvillimin e pandemisë në vendin tonë.

Duke iu referuar edhe një herë çështjes së metodologjisë, pohojmë se, ashtu si çdo metodë shkencore, edhe studimi në fjalë mund të ketë kufizimet e veta, të cilat do të përshkruhen në detaje në raportin mbi të cilin po punohet. Megjithatë, metodologjia e aplikuar është e përshtatshme si në dimensionin laboratorik (testi imunologjik i aplikuar ka vlefshmëri të lartë), ashtu edhe atë epidemiologjik (madhësia e kampionit në raundin e dytë të studimit është korrekte në kushtet e një seroprevalence të lartë). Për këtë arsye besojmë se rezultatet e këtij studimi duhet të pasqyrojnë, brenda një kufiri të caktuar besimi, praninë e antitrupave specifikë IgG anti-Sars-Cov-2 në popullatën 20-70 vjeç të qytetit të Tiranës, të mbuluar nga qendrat shëndetësore të përfshira në studim, pa atë pjesë të popullatës që nuk përdor apo nuk bashkëpunon me shërbimet shëndetësore publike.

Akademia e Shkencave është duke punuar për të sjellë fakte të reja që do të ndihmonin për të njohur akoma më mirë situatën në këtë fushë. Çdo pasqyrim apo interpretim i rezultateve paraprake të studimit në media apo në rrjete sociale jashtë kontekstit dhe metodologjisë kërkimore del jashtë kuadrit të një debati shkencor dhe është i papërshtatshëm.

Gjejmë rastin të rikujtojmë që, megjithëse sot dimë më tepër mbi qarkullimin e virusit dhe shohim më shumë dritë në fund të tunelit, pandemia vazhdon dhe rreziku për sëmundshmëri të rëndë dhe humbje jete nga ky infeksion do të vijojë të mbetet i lartë edhe gjatë vitit në vijim./News24

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN