NBA po vijon me ndeshjet, pavarësisht se një pjesë shtyhen si pasojë e infektimeve të shumta në disa skuadra. Së fundmi 3 ndeshje të NBA-së u shtynë si pasojë e pandemisë Covid-19.
Falë “triple double” të Giannis Antetokounmpo, 22 pikë, 10 rebound e 10 asist, skuadra e Milwaukee Bucks mundi 110-101 Detroit Pistons në fushën e këtij të fundit. Ndeshje me rivalitet, ku për Bucks u dallua edhe Holiday me 21 pikë.
Pa probleme fiton ekipi i Los Angeles Lakers, që mundi 128-99 Oklahoma City Thunder, ndeshje e dominuar. LeBron James realizoi 26 pikë, ndërsa Harrell 21, një dyshe që bëri diferencën në parket.
Pas një loje spektakolare, me plot 258 pikë në total, skuadra e Portland Blazers mundi 132-126 Sacramento Kings, me Lillard autor i 40 pikëve. Fitoi edhe Dallas Mavericks 104-93 në fushën e Charlotte Hornets, ndërsa Brooklyn Nets, falë 26 pikëve të Durant, fitoi 116-109 derbin me New York.
Te Nets pritet të transferohet shumë shpejt James Harden. Në këtë transferim janë përfshirë 4 skuadra. Për të siguruar Harden, skuadra e Nets heq dorë nga 3 zgjedhje të para në “draft”, duke përfshirë ekipet e Cleveland dhe Indiana. Në total, 7 lojtarë janë përfshirë në këtë “mega-shkëmbim”.