MENU
klinika

PËRGJIGJET MJEKU

Çfarë është procesi i ngrirjes së vezëve?

17.01.2021 - 12:58

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Çfarë është procesi i ngrirjes së vezëve?

Mjeku: Çfarë duhet të dini mbi procesin e ngrirjes së vezëve

  • Çfarë është?

Ngrirja e vezëve është një proces nëpërmjet të cilit vezët e pacientes ngrihen përmes metodës së vetrifikimit, duke i lejuar të planifikojë shtatzëninë në një moment të dytë, kur vetë pacientja e konsideron të përshtatshme. Norma e suksesit të procedurës ndryshon në varësi të moshës së pacientes, pra, sa më parë të kryhet ngrirja e vezëve, aq më e lartë është shkalla e suksesit.

  • Cila është kategoria e pacienteve të cilat duhet të marrin në konsiderratë ngrirjen e vezëve?

Procesi i ngrirjes së vezëve ka ekzistuar edhe dekada më parë por aplikohej te pacientet të cilat kishin probleme të infertilitetit kryesisht për arsye gjenetike apo pranisë së patologjive onkologjike.

Në një kohë kur stili i jetesës ka ndryshuar ndjeshëm, procedura tashmë gjen aplikim te të gjitha pacientet të cilat për arsye të ndryshme nuk dëshirojnë të planifikojnë shtatzëni në kohë të afërt.

  • Cilat janë ekzaminimet që duhet të kryejë çdo paciente para procedurës?

Fillimisht, cdo paciente e cila ka vendosur t’i nënshtrohet ngrirjes së vezëve, kryen një konsultë me mjekët specialistë të fertilitetit të cilët më pas do të rekomandojnë kryerjen e një sërë ekzaminimeve për të vlerësuar nëse pacientja mundet ose jo t’i nënshtrohet këtij procesi.

  • Kështu, fillimisht për çdo paciente rekomandohet testimi për sëmundjet infektive.
  • Më pas, mjekët rekomandojnë kryerjen e analizave të nevojshme për të përcaktuar nivelet hormonale.
  • Së fundmi, është e rëndësishme edhe kryerja e një ekografie me qëllim vlerësimin e potencialit vezorial (aftësisë së vezoreve për të prodhuar vezë).
  • Ku konsiston ky proces?

Në rastet kur përgjigjet e ekzaminimeve të mësipërme lejojnë vijimin e procesit të ngrirjes së vezëve, etapat që do të ndiqen nga mjekët specialistë janë:

  • Fillimisht pacientjes i rekomandohet kryerja e injeksioneve hormonale për të stimuluar prodhimin e vezëve, etapë kjo e cila zgjat përafërsisht dy javë.
  • Ky proces do të monitorohet në cdo etapë të tij nga mjeku specialist i cili do të kryejë ekzaminimet me ekografi çdo 4 ditë të procesit deri në kohën e marrjes së vezëve.
  • Në fund të këtij procesi mjeku specialist do të kryejë aspirimin e vezëve të pacientes(oocyte pick up) të cilat kalojnë menjëherë në procesin e vlerësimit nga mjeku embriolog dhe më tej ngrirjes për një kohë të pacaktuar(sipas dëshirës së pacientes) në azot të lëngshëm.
  • Sa vezë rekomandohet të merren?

Për të rritur shanset e një shtatzënie të suksesshme në të ardhmen, nevojitet të aspirohen(pick up) 15 ose edhe më tepër vezë. Nëse mjekët nuk arrijnë të marrin vezë në sasi të mjaftueshme, për pacienten është e nevojshme përsëritja e procedurës.

  • A shoqërohet me dhimbje procedura e aspirimit të vezëve?

Procedura e aspirimit të vezëve kryhet nën efektin e sedacionit prandaj pacientja nuk do të ndjejë asnjë lloj diskomforti dhe pacientja mund t’i rikthehet aktiviteteve ditore 2 orë pas procedurës.

  • Si mund të arrihet shtatzënia nga vezët e ngrira?

Në momentin që pacientja ka vendosur të kalojë në etapën tjetër, pra, konceptimin e një shtatzënie, fillimisht vijohet me shkrirjen e vezëve të cilat më pas mund të fekondohen nga sperma e partnerit të pacientes ose nga një dhurues përmes procedurës IVF (fekondimi in vitro) ose ICSI (injeksion intra-citoplazmatik). Tre ose pesë pas kryerjes së fertilizimit, embrionet e përftuara nga vezët e ngrira do të transferohen në mitrën e pacientes që nënkupton edhe fillimin e shtatzënisë.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN