Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka takuar rektorët e universiteteve publike për disa çështje, por kryesisht mësimin online.
Pak ditë më parë Manastrliu bëri me dije se universitetet do të vijojnë online, teksa Kushi thotë se sa i përket vendimeve ato i përkasin Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Ajo zbuloi se Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë po përgatit një sondazh vlerësues për evurinë e mësimit online në të gjitha universitetet.
STATUSI NGA EVIS KUSHI
Sot i dëgjova me shumë vëmendje rektorët e universiteteve publike mbi një sërë çështjesh që prekin arsimin e lartë, ndërsa u njoha nga afër edhe me përvojën e deritanishme të secilit institucion rreth zhvillimit të mësimit “online”.
Për shkak të përvojës së krijuar tashmë dhe masave të ndërmarra, universitetet po performojnë më mirë në krahasim me semestrin e dytë të vitit të kaluar akademik. Gjithsesi, për të pasur një panoramë më të plotë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (#ASCAL) është duke përgatitur një #sondazh vlerësues për ecurinë e mësimit “online” për të gjitha universitetet.
Teksa u shpreha para rektorëve se #MASR po ndjek nga afër edhe praktikat më të mira të vendeve më të zhvilluara, nënvizova gjithashtu se vlerësimi i situatës dinamike të pandemisë dhe vendimmarrjet përkatëse i përkasin si përherë Komitetit të Ekspertëve. Në këtë kuadër, kërkova sërish shumë mirëkuptim e fleksibilitet nga çdo institucion i arsimit të lartë, e mbi të gjitha garantimin e mësimdhënies sa më cilësore në kushtet e pazakonta që po kalojmë.