Për shumë persona udhëtimi me avion është një tmerr i vërtetë dhe shpesh mundohen që ta shmangin atë. Ndoshta për të gjithë këta është mirë që të mos e shohin atë që ka ndodhur në një fluturim nga Miami në Buenos Aires, i cili është cilësuar si “fluturimi i ferrit” për 192 pasagjerët që ndodheshin në bordin e avionit.
Pamjet janë me të vërtetë tronditëse, me kabinën e avionit të pushtuar nga kaosi. Pasagjerë me gjakderdhje nga hundët, ushqime të shpërndara kudo e maskat e oksigjenit të varura.
Avioni, një Airbus A330, ndodhej mbi Brazil kur u përfshi nga turbulencat e ajrit. Pasagjerët e tmerruar nga makthi i përjetuar nuk hezituan t’i shpërndajnë pamjet në “Twitter”, pasi avioni bëri ulje të sigurt në aeroportin Ezeiza në kryeqytetin e Argjentinës.
Pesëmbëdhjetë pasagjerë mbetën të lënduar, ndërsa 8 prej tyre u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ngjarja u konfirmua edhe nga kompania “Aerolineas Argentinas”, e cila tha në një deklaratë se disa nga pasagjerët morën lëndime, ndërsa u theksua se ekuipazhi ka bërë më të mirën për të ndihmuar pasagjerët në këtë situatë dramatike. “Pasi avioni u fut në zonën e turbulencë, ekuipazhi i fluturimit u tregua tejet i përkushtuar për të ndihmuar pasagjerët e lënduar”, tha kompania.