MENU
klinika

Kirurgjia shpëtuese

Ç’duhet të dini për vrimën në zemër!

20.10.2018 - 16:37

Në këtë defekt shumë të zakonshëm në klinikën e përditshme, ekziston një vrimë në murin që ndan ventrikulin e djathtë nga ventrikuli i majtë në atë që quhet ndryshe edhe septum ose perdja ndarëse midis dy ventrikujve të zemrës.

Defekti interventrikular është ai ves i lindur i zemrës në të cilin ekziston një vrimë në murin ndarës midis dy ventrikujve. Normalisht korrigjohet shumë mirë më ndërhyrje kirurgjikale.

Si rezultat, gjaku kalon nga ana e majtë e zemrës që ka presion më lartë, në anën e djathtë duke shkuar në mënyrë anomale në mushkëri, kjo gjë shkakton rritjen në sasi të gjakut që shkon në këtë organ. Afërsisht 30 për qind e këtyre vrimave mbyllen vetë me kalimin e kohës kur janë të vogla.

Pacientët që paraqesin vrima më të mëdha, të cilat nuk mund të mbyllen në mënyrë spontane, duhet t’i nënshtrohen ndërhyrjes kardiokirurgjikal.

Defektet e mëdha mund të jenë të nevojshme që të mbyllen gjatë vitit të parë të jetës duke qenë se ato shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje dhe simptoma të tjera të insufiçiensës kardiake (patologji e zemrës).

Në qoftë se defekti nuk mbyllet në kohën e duhur, atëherë pacienti mund të zhvillojë sëmundjen vaskulare të mushkërive, e cila dëmton enët e gjakut të mushkërive, duke qenë shpesh herë edhe fatale për vetë pacientin.

Në rast se defekti nuk mbyllet në një kohë të caktuar, presionet midis anës së majtë dhe të djathtë barazohen (ky quhet kompleksi Eisenmager) dhe me vonë, sëmundja vaskulare e mushkërive, shkakton dëmtime të pa rikthyeshme të enëve të gjakut në mushkëri.

Kjo gjë e bën të pa rikthyeshme gjendjen, pasi pacienti nuk mund të kryejë operacionin me korrigjim të plotë. Në një rast të tillë, i vetmi trajtim është transplanti i zemrës dhe mushkërisë.

Defektet interventrikulare janë të përmasave dhe lokalizimeve të ndryshme dhe disa prej tyre janë më të lehtë për t’u korrigjuar se sa të tjerët. Gjatë operacionit, funksioni i zemrës dhe i mushkërive zëvendësohet nga makina zemër-mushkëri dhe vrima mbyllet duke përdorur një arnë biologjike ose sintetike.

Shanset e mbijetesës, si dhe mundësia për të bërë një jetë normale pas këtij operacioni janë të mrekullueshme.