Janë shtyrë edhe dy ndeshje të tjera në NBA. Megjithatë, plot 11 të tjera kanë dhuruar emocione për tifozët. Pas një ndeshje spektakolare, vendosur në kohën shtesë, skuadra e Cleveland Cavaliers mundi 147-135 Brooklyn Nets.
Të gjithë titullarët e Brooklyn shënuan mbi 13 pikë, ku Harden realizoi një “triple double” (21 pikë, 10 rebound e 12 asist), Durant 38 pikë e Irving 37.
Gjithsesi, për Cavaliers shkëlqeu Sexton me 42 pikë, ndërkohë që 7 lojtarë të Cleveland realizuan mbi 12 pikë, ku 44 pikë erdhën nga lojtarët e stolit. Në krye të renditjes në Lindje qëndon Philadelphia, që mposhti 117-109 Boston Celtics, ku Embiid shënoi 42 pikë e 10 rebound.
Në Perëndim, skuadra e Los Angeles Clippers ndaun kreun e renditjes me Lakers, pas fitores 115-96 ndaj Sacramento Kings, sfidë ku u dallua Leonard me 32 pikë.
Fiton edhe Golden State, që mundi thellë 121-99 San Antonio Spurs, falë 26 pikëve e 11 rebound të Curry. Warriors po lënë pas sezonin e fundit zhgënjyes dhe tashmë janë ngjitur në vendin e gjashtë në Perëndim, duke kërkuar të rikthehen si para 3 vitesh kur shpalleshin kampion.