Nga Gezim Basha
Ismail Kadare, u bë 85 vjeç, me një jetë letrare që sot, unanimisht dhe globalisht, konsiderohet si një “cause celebre” për lexuesit seriozë të çdo gjuhe dhe kulture.
I pari shkrimtar Shqiptar që shkeli çdo kufizim të kulturës amtare, Ai krijoi një univers letrar në sinkron të plotë me tendencat e letërsisë më të mirë bashkëkohore. Kreshendoja e tij imagjinative nis me “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur,” një kuazi-pastish tronditës i romaneve të brezit të humbur dhe atyre “Noir,’ për tu mbyllur së fundi me “Kukulla” një kryevepër mbi Trashëgiminë amnore që e formon bazorelievin e nënës duke eksploruar me detaje të paharueshme sensore tabletën e shqetësimit Prustian mbi sensin e kohës.
“Pak e vështirë të besohet,” thotë romancieri dhe kritiku amerikan, John UPDIKE, “por prej Shqipërisë primitive vjen njëri nga përdoruesit më të mençur të teknikave të modernizmit dhe postmodernizmit.”
Ne vepren e tij seminale Fjalori I Termave te Letersise (Dictionary of Literary Terms)–nje reference e pazevendesueshme ne shkollen anglosaksone–ne hyrjen per romanin, studjuesi Britanic J. A. Cudon, shkruan, “Romancieri I jashtzakonshem Ismail Kadare eshte jo vetem shkrimtari me i madh Shqiptar, por edhe njeri nga romancieret me te medhenj të kohës sonë.”
David Bellos, profesor i Princton University—autoriteti ndoshta më i shquar Anglo-Amerikan i letërsisë në frengjisht—shprehet se leximi i Kadaresë ta sjell botën, në formën e saj letrare, si një përzierje mjeshtërore e mitit dhe folklorit, populluar pastaj me portrete mëndjesh moderne nga realitete lokale, të dhëna me një humor sa të zhveshur po aq mjeshtëror.”
James Wood i Harvard University, i konsideruar si zëri më autoritar i kritikës letrare amerikane, mahnitet nga humori i ngrohtë i rrëfimtarit si radikal i pafajshëm tek “Kronikë në Gur,” teksa admiron ironinë e koncentruar tek “Koncerti” dhe “Pasardhësi.”
Poezia e Kadaresë—pak e studiuar edhe pse ofron shumë për të kuptuar prozën e tij—solli botën urbane me një emancipim ideor, gjuhësor dhe stilistik të vrullshëm. Kur në poezinë Shqipe femra ende quhej “vashë,” Kadare solli botën dinamike të metrove dhe aeroporteve ku ndarja mbetet, “po aq e moçme dhe njëkohësisht e re.”
Të habit fakti se të vetmit kritikë që i kuptuan përmasat e gjenisë së Kadaresë përmes poezisë, prej mbi 50 vjet nuk jetojnë më. Ata mbeten dy: David Smaillov, një botues Rus që shkroi parathënien e përmbledhjes së tij të parë me lirika në Rusisht në vitin 1960, dhe i ndjeri Drago Siliqi, perfaqsuesi më i shquar, dhe ndoshta i vetëm i kritikës letrare praktike në shqip, prej viteve 60-të e më pas. I pari vë në pah tendencat moderniste të Kadaresë, prirjen e tij të brendshme për ta injoruar socrealizmin, i dyti ngashnjehet nga ngulmimi Kadarean për të kërkuar të rënë me eksplorime eksperimentale lirike.
Vazhdon te mbetet masivisht i pakuptuar dhe shpesh i sulmuar nga hjekës lugjesh të pabesa—produkte të mjera të një kulture inferiore dhe ende të izoluar. Tipologjia e sulmuesve te tij eshte aq e larmishme saqe perfshin tërë mercenarët dhe psikopatët e çdo ngjyre, një amalgamë ku përfshihen nja dy akademikë “trukokallë” nga Prishtina, të mbetur në paradigmën vulgare të historicizmit serbo-kroat, dhe disa persëritës litanish nga Tirana që guxojnë ti ofrojnë shkrimtarit receta morale për të shkruar letërsi skematike. Ka ndër ta madje edhe ish-doganiere te kontrabandes se viteve 90-te, tashme “historianë” antikomunistë në biznesin e te folurit pa doganë.
Jetë të gjatë Bardit të Madh që e ngriti gjuhën Shqipe në majat e letërsisë planetare—një kauzë legjitime për celebrimin e arritjes më të madhe të shkrimit në atë “gluhën tënë” siç pat thënë Buzuku.