MENU
klinika

ATP miraton listën e radhës

Kompensohen 142 pronarë të prekur nga ndërtimet informale

30.01.2021 - 19:57

Agjencia e Trajtimit të pronave ka publikuar ditën e djeshme listën e emrave që përfitojnë nga shpërndarja e fondit të kompensimit për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale. Në njoftim sqarohet se, këtë herë përfitojnë 142 ish-pronarë, në bazë të ligjit për kompensimin e pronave për këtë kategori. Ligji përcakton se përfituesit do të kompensohen me 70% të vlerës totale të miratuar në këtë vendim.

“Agjencia e Trajtimit të Pronave njofton se, ka përfunduar procesin e shqyrtimit për 142 kërkesa, të cilat përfitojnë këstin e parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të kompensimit në të holla në një total prej 70% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse. Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar”, thuhet në njoftim.

Ndërsa theksohet se punonjësit në zyrat e Agjencisë së Pronave i kanë dhënë kohën e mjaftueshme çdo dosje për t’u shqyrtuar dhe kanë komunikuar me aplikantët në rast të mangësive në dokumentacion. Agjencia thekson se, një pjesë e dokumenteve mund të sigurohet online nga vetë punonjësit e zyrës dhe nuk është nevoja e dyndjes së aplikantëve pranë agjencisë. Madje edhe komunikimi me aplikantët dhe komisionin që shqyrton këto dosje në vitin që lamë pas dhe aktualisht është bërë online dhe nuk kanë hasur keqkuptime.

Fondi në dispozicion

Në njoftim tregohet se, Agjencia ka vënë në dispozicion për kompensimin e pronarëve që janë në këtë listë mbi 205 milionë lekë. Ndërsa bëhet me dije se, shuma që do përfitojnë secili prej pronarëve do t’u depozitohet menjëherë në llogaritë e tyre bankare, në bazë të të dhënave që ata kanë paraqitur në momentin e aplikimit.

“Fondi financiar që shpërndahet nga ATP për këto 142 kërkesa,është në vlerën: 205. 374. 967. 68 lekë. Të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën bashkëlidhur këtij njoftimi. Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim”, bën me dije Agjencia e Pronave.

Në përfundim Agjencia sqaron se numri i aplikantëve ka qenë edhe më i lartë, por nga pjesa e shqyrtuar këtë herë vetëm 142 aplikime përmbushnin kriteret e përcaktuara në ligj për të përfituar nga fondi i kompensimit për pronat që preken nga ndërtimet informale. Për 142 kërkesat e mësipërme, për të cilat ka përfunduar procesi i shqyrtimit nga ana e ATP-së, ka rezultuar se dokumentacioni i tyre është në përputhje me kriteret e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar.

Në përfundim Agjencia e Pronave bën me dije se, zyrat vazhdojnë të punojnë me staf të reduktuar për shkak të pandemisë, prandaj qytetarët që janë në pritje të një përgjigjeje duhet të tregohen mirëkuptues dhe të shtyjnë në kohë procedurat për ato çështje që mund të presin. Sipas Agjencisë, çështjet që kanë më pak procedura dhe që nuk kërkojnë nevojën e domosdoshme për praninë fizike të aplikantit do të merren në konsideratë dhe do të shqyrtohen. Ndërsa merret si shembull rasti i pronave që preken nga ndërtimet informale dhe atyre me kërkesë të veçantë, që sipas Agjencisë, procesi i shqyrtimit për to ka vijuar edhe gjatë pandemisë dhe janë shpërblyer me qindra pronarë të prekur.